“Islami ia ruajti botës mbarë e sidomos asaj të soçmes të mirat e mejtimit njerzuer”

(Ligjëratë e Myftiut të Shkodrës, Imam Muhamed B. Sytari, me rastin e Fitër Bajramit, më 24 maj 2020, në xhaminë e Parrucës)

Momentet e ditëve dhe netëve të shënuara janë një ftesë hyjnore për të reflektuar se kush jemi dhe sa peshojmë në peshoren e besimt dhe fetarizmit të shëndoshë, përtej vendit që i kemi caktuar vetes në realitetet e përditshme, me të cilat përballemi si individë, si komunitet e si shoqëri!

Bajramet janë më shumë se një festë e zakonshme, ku njerëzit mblidhen e festojnë në një mënyrë a një tjetër. Kjo është festë, që në vetvete mat pulsin e komunitetit, aftësinë për të qenë së bashku, nën një drejtim, pas një drite e një udhëzimi; burra e gra, pleq e fëmijë, të gjithë pa përjashtim, si për t’u parë në pasqyrën e njëri-tjetrit, si një e tërë, jo si copëza të pakuptimta të një puzzle-i, që nuk plotësohet, sado të lodhesh për t’ia mbledhur copëzat e tij!?

“Bajrami, siç e kuptojmë, është mundësia që All-llahu i ka dhënë njeriut, për të nxjerrë në pah lartësinë e humanizmit të tij në sferën e vlerave, për të ndjerë, (teksa ndodhet në këtë atmosferë shpirtërore), vëllazërinë që e lidh me vëllanë e tij njeri në një gëzim jete, si dhe njësimin e plotë të ndjenjave.., deri aty, sat ë bashkohet më fëmijën e vogël në lojën e tij, me plakun e moshuar në gëzimin e tij dhe me të riun energjik në mallëngjimin dhe ndjenjat e tij.

Këtu e gjejmë kuptimin e vërtetë të transmetuar në hadithe të shumta që nxisin dhe pëlqejnë shtimin e vizitave, bamirësinë ndaj vëllazërisë, pajtimin në mes vete dhe të tjera metoda që tërheqin dashamirësinë dhe kthjelltësinë në ditët e bajrameve.”.[1]

Gjatë kësaj periudhe shumëvjeçare, shumëkush në këtë vend është shpërfytyruar, duke përbaltur fenë kryesore të këtij kombi, siç nuk e kanë zakon as burrat e urtë, as vizionarët, as burrat e shtetit, as dinjitarët, as prijësit e urtë fetarë, as drejtuesit largpamës.

Edhe në këtë Muaj të begatë kemi dëgjuar andej-këndej, aty e këtu, të pavërteta, cënime e keqtrajtime të imazhit të Islamit! Kemi heshtur e kemi vazhduar rrugën tonë. Jo se ne nuk dijmë të flasim e të kthejmë përgjigje..!?

Ne jemi muslimanë dhe muslimani është njeri me dinjitet, është krenar dhe nuk e kthen kokën saherë që dikush a diçka lëshon zë, sa djathtas-majtas!

Prandaj, ky është momenti për të pyetur se sa me vlerë ka qenë ky muaj për të rizgjuar tek ne ndjenjën e të jetuarit me dinjitetin e nënshtrimit para Duarve të Krijuesit Fuqiplotë, duke mos pasur frikë për asgjë dhe duke u përpjekur me të gjitha forcat për të ndërtuar jetën me besim e vlera, duke rrezatuar mirësi e dritë, nga Drita e kësaj feje të madhnueshme islame, me të cilën naka lartësuar Zoti i gjithësisë si komb, si shoqëri e si njerëz në mesin e njerëzve!

Momenti është që secili të shohë veten në pasqyrën e besimit, të pyesë se a është i drejtë rrugëtimi i tij në marrëdhënie me All-llahun e Madhëruar, me veten, me familjen, me shoqërinë e me atdheun dhe, hakun që ka secili në veten e tij!

A është koha që ne si muslimanë të zgjohemi nga gjumi i rutinave folkloriste, i besimit sipërfaqësor, i shprehjeve të një standardi të ulët, i angazhimit me çështje sipërfaqësore, që gati-gati na kanë kthyer si një imazh i paprekur i shembullit të beni israilëve, për të cilët flitet sa e sa në Kur’anin Famëlartë!?

A nuk janë shumë prej realiteteve të bashkësisë dhe komunitetit tonë, të ngjashme me mendësinë e pyetjes për ngjyrën e lopës, për të cilën qenë urdhëruar të bënin kurban beni israilët e Hz. Musait (a.s.): “Kujto kur Musai i tha kombit të vet: ‘Allahu ju urdhëron të therni një lopë!’ Ata thanë: ‘A do të tallesh me ne?’ – ‘Zoti më ruajt!’ – tha Musai  – ‘të bëhem unë nga të paditurit!’. 68. Ata thanë: ‘Lutju Zotit tënd, që të na shpjegojë si duhet të jetë ajo!’. Musai tha: ‘Ajo të jetë një lopë as plakë, as e re, por e mesme; pra, bëni atë që ju është urdhëruar!’.69. Ata thanë: ‘Lutju Zotit tënd që të na shpjegojë çfarë ngjyre të ketë ajo!’. Musai tha: ‘Ai thotë se ajo duhet të jetë lopë me ngjyrë të verdhë të ndezur, të cilën e pëlqejnë shikuesit’. 70. Ata thanë: ‘Lutju Zotit tënd, që të na shpjegojë çfarë lloji të jetë, sepse lopët të gjitha na duken njësoj e ne, në dashtë Zoti, do të udhëzohemi në rrugën e drejtë’…”.[2]?

Të dashur të pranishëm!

Në Kur’anin Famëlartë, lexojmë ajetin 41 të sures El-Haxh: “(Allahu i ndihmon edhe) ata, të cilëve, nëse u japim pushtet në tokë, kryejnë faljet, japin zekatin, urdhërojnë kryerjen e veprave të mira dhe pengojnë atë që është e mbrapshtë. Tek Allahu është fundi i të gjitha çështjeve.”.[3]

Ky është një ajet, që duhet të na tërheqë vëmendjen për të na zgjuar nga gjumi i pasimit të verbër të çdo gjëje në jetë, sidomos, kur ajo ka për qëllim të prishë dalëngadalë lidhjet e forta që na mbajnë të lidhur me tabanin e besimit dhe fesë sonë.

A nuk e keni vënë re se, vit pas viti, në realitetet shqiptare dalin në pah bidate të reja, në emër të thirrjeve të shumta, që shpesh na detyrojnë edhe të vrasim mendjen për të nxjerrë fetva justifikuese për kazmat që në heshtje (dhe hutimthi, dhe ndoshta edhe me pakujdesinë tonë), vazhdojnë të punojnë pa asnjë merak?

Fjala bie: Në vitin 1937, Hoxha i mirënjohur shkodran, H. Sulejman Gavoçi, patrioti i biri i patriotit dhe Hoxhës së nderuar Hafiz Halil Gavoçi, (që luftuan në frontin e parë për mbrojtjen e Shkodrës nga sulmet malazeze të kohës), emigruan nga Shkodra drejt Damaskut. Të njëjtën gjë bënë edhe disa familje të nderuara, prej të cilave do të dilnin më pas dijetarët e shquar arnautë të ymetit tonë.

Por, cili ishte shkaku i emigrimit?

“Zogu i ngratë kishte nxjerrë një ligj që ndalonte mësimin e fesë nëpër shkolla. Një gjë e tillë kishte ndikuar për keq edhe tek kurset private, kështu që nana ime më kishte qepur një xhep të brendshëm në këmishën time, në të cilën të fusja Ilmihalin dhe kështu çdo ditë shkoja në kursin e mësimit të fesë në xhaminë Plakë, duke u ruajtur nga xhandarët…”.[4] – dëshmon Hoxha i jonë, Shejkh Vehbi S. Gavoçi.

“Baba, pasi pa se gjendja e vendit tonë po prishej dita-ditës, vendosi të largohej nga vendi dhe të emigrojë…”.[5]

Nga ajo kohë e deri më sot, dozat e ciflosjes janë shtuar, deri në atë pikë sa, kujtoj para ca vitesh Avokatin e Popullit që kërcënonte me burg njërin prej imamëve të njohur të Tiranës, nëse imami do të lexonte e predikonte ajetet e popullit të Lutit (a.s.), që sipas logjikës së avokatit të popullit të Lutit, cënonte të drejtën e tyre dhe bëhej shkak për racizëm.

Sot, dëgjojmë e lexojmë që abuzimi me muslimanët dhe emrin e institucionit të tyre është bërë edhe mjet satiristik, me të cilin politikanët e vendit gjuajnë njëri-tjetrin!?

Mirëpo, a nuk duhet t’i vihet kufiri kësaj gjendjeje? Është shumë vonë madje, por si? Me fjalë? Me ligjërata? Me peticione? Me votë? Me heshtje? Me injorim? Apo me çfarë?

Të dashurit e mi!

Ajti 41 i sures El-Haxh vetëm se na jep esencën e zgjidhjes së kësaj katrahure, ku janë përfshirë muslimanët e kësaj shoqërie, të hutuar dhe të përçarë, falë edhe indoktrinimit aktiv, pas vitit 1990, me modele pa ngjyrë e shije të një modeli thuajse agresiv, të paditur, fanatik dhe ngatërrestar të një feje, që më shumë se përmbledhje fetvashë devijante e arsyetimesh të skaduara, nuk është asgjë tjetër; indoktrinim që ka prekur mbarë ymetin!?

Në tefsirin e këtij ajeti lexojmë se: “Zoti ynë i Madhëruar përshkroi këta besimtarë të përkrahur, se janë ata që u është dhënë mbizotërimi në tokë, por çfarë është ai?Njeriu në tokë, ose mund të jetë mbizotërues me pushtet, ose i dobësuar.

I dobësuar është ai që nuk ka forcë për realizimin e qëllimit të tij, as e ka mundësinë për ta bërë një gjë të tillë, sepse është i dobët, i poshtëruar! Ndërsa mbizotërues është ai që ka mundësi të realizojë atë që do

Mbizotërimi është njëkohësisht edhe sprovë. A thua vallë urdhëron për mirë dhe ndalon të keqen, pasi All-llahu e ka lartësuar (pra, ia ka dhënë mundësinë)? A thua e përkrah të vërtetën dhe refuzon të kotën? A i nënshtrohet të fortit në kurriz të besimtarëve?

Është sprovë, sepse besimtarit nuk ia shton pasuria, vetëm se thjeshtësinë, sikurse nuk ia shton forca, vetëm se bindjen ndaj All-llahut të Madhëruar. Ndërsa munafiku (hipokriti) po u pajis me pushtet në tokë, do të përhapë në të devijim e shkatërrim, do të nxisë fesad…

Muslimanët, kur ishin në Andaluzi, All-llahu i dha pushtet në shumë vende. Kur ata e falën namazin, e dhanë zekatin, urdhëruan për të mirë dhe ndaluan të keqen; All-llahu e bëri mbizotërues pushtetin e tyre, i përkrahu me forcë nga ana e Tij, i bëri të përhapen gjithandej nëpër Europë, derisa mbërritën në rrethinat e Parisit…”.[6]

Në vitin 1939, në revistën zyrtare të Komunitetit Mysliman Shqiptar, lexojmë: “Po t’iu mbahet njeriu pikë për pikë parimeve islame e po të veprojë mbrenda kufive të tyre do të gëzojë jetën dyfishe, për sa i përket lumturisë: jetën material dhe atë shpirtnore. Nga parimet e pa lujtëshme të tij, Islami vrapoi me hapa më të shpejtë e të sigurta tue ndriçue botën mbarë, me një përparim të ri, mirësitë e të cilit njerzija vazhdon t’i shijojë në çdo kohë evolucioni.

Islami ia ruajti botës mbarë e sidomos asaj të soçmes të mirat e mejtimit njerzuer: të mendimit grek, hindian dhe persian. Pra, a nuk ishte Islami ky që na çoi në pregatitjen e të gjitha mirsinave të përparimit modern? Pse pra t’akuzohet Islami që gjoja është shkak dekadence e mbrapshtimi për bijt e tij et’atyre që e ushtrojnë?!

Tashti për tashti do të mjaftojmë t’a cekim shumë pak këtë fenomen, për të qartësuar se dekadenca e popujve myslimanë i kthehet shkaqeve politike e shoqërore. Nuk i referohet aspak përshtypjes së dogmës ose të fesë… Prandaj, është shumë lehtë për myslimanët tëka[en prapë për origjinën e fesë së tyre; e për këtë iu mjafton të heqin dorë prej gjërave që s’pajtojnë me Ligjet Hyjnore; t’a hedhim poshtë vesin e të keqen e t’i zëvendësojmë ato me virtytin e të mirën.”.[7]

Të dashur besimtarë!

Në kryeveprën e tij me titull: “Çfarë humbi bota me dekadencën e muslimanëve”, dijetari i shquar islam Ebul-Hasen En-Nedevi, thotë se bota sot, ka nevojë për botën islame, që e drejton Hz. Muhammedi (a.s.) me misionin e tij të përjetshëm dhe fenë e tij të urtë!

Shkruan: “Është e drejtë e botës islame të përgatisë veten për këtë përgjegjësi të rrezikshme dhe të ketë ambicie për të! Është e drejtë e çdo vendi islam dhe çdo populli musliman të lidhë vullnetin e tij për këtë! Sikurse është e drejtë e çdo muslimani të sakrifikojë në rrugën e këtij qëllimi, si dhe të japë atë që ka për mundësi, sepse kjo është përgjegjësia e lartë, që e karakterizoi ymetin islam, që ditëm që u shfaq në këtë ekzistencë dhe nga dita, kur fara e tij u shfaq në gadishullin arab!”.[8]

Le të festojmë sot, me mirësitë e All-llahut, le të gëzojmë për mundësinë e madhe që na u dha për të agjëruar Ramazanin e plotë dhe, le të lutemi që ajo që kaloi, mos të ngelet thjeshtë një shfaqje pa efekt e një adhurimi formal!

All-llahu i Madhëruar ju dashtë dhe ju pasë në mbrojtjen e Tij!

Me zemër të mirë e bekim Fitër Bajramin!

Imam Muhamed B. Sytari
Myfti i Zonës Shkodër

(Ligjërata me rastin e Fitër Bajramit, më 24 maj 2020, në xhaminë e Parrucës)


[1]Es-Sejjid Muhammed Husejn Fadlull-llah, Kadajana ala douil-Islam, Darul-Melak, Bejrut, botimi i 7-të, 1996, f. 61.

[2]Kur’ani, El-Bekare: 67-70.

[3]Kur’ani, El-Haxh: 41.

[4]Muhamed Sytari, Vehbi Sulejman Gavoçi – dijetar nga dijetarët e ymmetit, Dituria Islame, Prishtinë, 2005, f. 20.

[5]Po aty, f. 20.

[6]Dr. Muhammed Ratib En-Nabulsi, Tefsirun-Nabulsi, Muessetul-Fursan, Aman, 2016, botim i parë, vëll. 5, f. 554-555.

[7]DREJTIMI, Të ndershëm lexuesë, në revistën Kultura Islame, Tiranë, viti I, shtator, 1939-XVII (Shaban 1358), nr. 1, f. 10.

[8]Ebul-Hasen En-Nedevi, Madha khasirel-alem binhitatil-muslimine?!, Ed-Darush-Shamijje, Bejrut, botimi i parë, 1999, f. 271.