“Nga zemra në vepër, si ta jetojmë besimin me vlera” – ligjërata e teologes Aida Shega

Tribunë fetare me motrat besimtare “Këshilla dhe mesazhe në atmosferën e Tre Muajve të Mirë”

“Nga Zemra në vepër, si ta jetojmë besimin me vlera” – ligjërata e teologes Aida Shega

Në kuadër të aktiviteteve të larmishme, në atmosferën e prag Ramazanit 1447, Myftinia Shkodër zvhilloi ditën e shtunë, më 24 janar 2026, në xhaminë e Parrucës, tribunën fetare për motrat myslimane me titull: “Nga zemra në vepër, si ta jetojmë besimin me vlera”,  me të ftuar teologen znj. Aida Shega.

Aktiviteti në fjalë, që ishte kushtuar veçanërisht motrave besimtare u fokusua tek rëndësia e dëshmimit të besimit në jetën e përditshme, duke kaluar pragun e zemrës dhe pretendimeve që njeriu ka në përditshmërinë e tij në realitetin e të dëshmuarit në përditshmëri dhe në marrëdhënie konkrete në mesin e njerëzve.

 Programi u hap me lexim Kurani nga nxënësja Erisa Ethemi, e cila solli një fillim të bukur dhe të bekuar për këtë tribunë fetare.

Në ligjëratën e saj, teologia e nderuar, znj. Aida Shega përcolli mesazhe të vlefshme mbi rëndësinë e përgatitjes shpirtërore për muajt Rexheb, Shaban dhe Ramazan, duke theksuar rolin e gruas myslimane në forcimin e besimit dhe vlerave familjare e shoqërore.

Pas ligjëratës, programi vijoi me pjesë artistike e reflektuese nga nxënëset: Eralda Mehja, nxënëse e Qendrës Kulturore Oblikë, e cila interpretoi një poezi për Ramazanin, të shkruar nga vetë ajo dhe që u prit me shumë ngrohtësi nga të pranishmet. Ndërsa Erisa Fangaj, nxënëse e Qendrës Kulturore Bardhaj, lexoi një monolog për Tre Muajt e Mirë, duke përcjellë emocion dhe mesazhe shpirtërore.

Aktiviteti u moderua nga znj. Kimete Elezi, e cila udhëhoqi mbarëvajtjen e programit, duke krijuar një atmosferë shpirtërore dhe reflektuese për motrat besimtare të pranishme.