Bashkëjetesa ndërfetare midis shqiptarëve

“Bashkëjetesa ndërfetare ka shoqëruar procesin e përhapjes shkallë-shkallë të islamizimit në mesin e shqiptarëve.

Kalimi jo në masë dhe jo i menjëhershëm i shqiptarëve në besimin e ri flet në të mirë të tezës, se ky kalim është bërë pa dhunë të drejtpërdrejtë. Madje, anëtarët e një familjeje nuk kalonin njëherësh në fenë islame.

Aristidh Kolja, autori i mirënjohur i librit “Arvanitët” (Athinë,1986) thekson, me të drejtë, që nuk ka ekzistuar asnjë rast i kthimit të fesë me dhunë nga ana e turqve. Këtë ai e konsideron “një gënjeshtër qëllimkeqe”. Më tej ai ngul këmbë që “Ndërrimi i fesë së shqiptarëve me dhunë është pjellë e fantazisë dhe shpikje e murgjëve dhe nuk është aspak e hijshme që ta pretendojnë këtë historianët”.

Dëshmitarë të huaj japin të dhëna interesante lidhur me ceremonitë fetare, të cilat zhvilloheshin në të njëjtin vend, si për myslimanët ashtu edhe për të krishterët. Ende në gjysmën e dytë të shekullit të 19-të, ishte bërë zakon që i njëjti lokal, të premten të shërbente si xhami, kurse ditën e djelë përdorej si kishë.

Familjet e pasura myslimane vinin në dispozicion shtëpinë e tyre për zhvillimin e meshës.

Islamizimi me tolerancën e vet të pranuar shkencërisht, u përhap gjërësisht në mesin e shqiptarëve…

Nuk duhet harruar që të gjitha format e bashkëjetesës ndërfetare në mesin e shqiptarëve kanë mbijetuar dhe mund të thuhet edhe kanë lulëzuar gjatë shekujve të pushtetit osman.

Teza kuranike se Zoti nuk është vetëm i myslimanëve (rab yl myslimin), por i të gjithë njerëzimit (rab yl alemin) gjente zbatim të gjerë në praktikën osmane.

Intoleranca fetare midis shqiptarëve nuk zuri vend edhe pse nuk munguan forca të interesuara për nxitje në këtë drejtim…”

🖋 Prof. Dr. Gazmend Shpuza, “Bashkëjetesa ndërfetare midis shqiptarëve”, në përmbledhjen: “Nga Perandoria Osmane në Shqipëri e shkruam historinë me tolerancë”, botim i TIKA, Tiranë, 2005, f. 41-46.