“Ju është bërë obligim..!”, Myftiu i Shkodrës i ftuar në Peace Tv

"Ju është bërë obligim..!", Myftiu i Shkodrës i ftuar në Peace Tv

“Ju është bërë obligim..!”, Myftiu i Shkodrës i ftuar në Peace Tv

Nëpërmjet kanalit të mirënjohur, Peace Tv, besimtarët patën mundësi të ndiqnin, mbrëmjen e së xhumasë, më 20 shkurt 2026, bashkëbisedimin që hoxha i nderuar nga Mitrovica, H. Muhamed Dërmaku, zhvilloi me Myftiun e Shkodrës, Imam Muhamed B. Sytari.

Një bashkëbisedim i mbushur me detaje të shumta, që lidhen me jetën dhe aktivitetin e Myftiut, me Shkodrën dhe xhamitë e saj, Medresenë dhe veprimtaritë e saj, gjurmët e hoxhallarëve të shkuar, rezistencën në komunizëm, dijetarët shkodranë në Damask të Sirisë dhe kujtimet e paharruara para duarve të tyre.

Gjatë këtij emisioni me vlerë, Myftiu Sytari hodhi dritë edhe rreth kuptimeve të pjesës së ajetit të agjërimit: “Ju është bërë obligim..!”, ku theksoi se agjërimi i Ramazanit është shenjë e padiskutueshme e dashnisë së Allahut për robin e Tij, një amanet i shenjtë, që është vendosur në duart e besimtarëve, për kryerjen e të cilit, shpërblimet janë të pallogaritura.

Në fund të këtij bashkëbisedimi plot vlerë, Myftiu i Shkodrës kishte një porosi edhe për rininë, prej të cilëve kërkoi që të rrijnë pranë gjyshërve dhe të kërkojnë prej tyre që për çdo natë Ramazani, t’ju tregojnë nga një kujtim nga agjërimi i tyre ndër vite, në mënyrë që lidhja e breznive në agjërim të kthehet në një besëlidhje të shenjtë që trashëgohet me shumë dashni, brez pas brezi ndër ne.

(Për të gjithë ata që nuk kanë pasur mundësi ta ndjekin drejtpërsëdrejti këtë emision, më poshtë linku i tij!)