Myftiu i Shkodrës mori pjesë në aktivitetin e pra Ramazanit të Myftinisë Elbasan

Myftiu i Shkodrës mori pjesë në aktivitetin e pra Ramazanit të Myftinisë Elbasan

Myftiu i Shkodrës mori pjesë në aktivitetin e pra Ramazanit të Myftinisë Elbasan

Me ftesë të Myftiut të Elbasanit, H. Agim Duka, Myftiu i Shkodrës, Imam Muhamed B. Sytari mori pjesë ditën e mërkurë, më 18 shkurt 2026, në aktivitetin në prag të hyrjes së muajit të Begatë të Ramazanit, që Myftinia Elbasan organizoi në teatrin Skampa.

I pranishëm në këtë aktivitet ishte edhe HT. H. Bujar Spahiu, Kryetar i Komunitetit Mysliman të Shqipërisë, si dhe imami dhe ligjëruesi i mirënjohur, H. Vladimir Kera.

Aktiviteti ishte një përzierje e mesazheve, këshillave dhe udhëzimeve të dobishme nga ligjëruesit e ftuar, si dhe programi i këndshëm i fëmijëve të shkollave dhe kurseve fetare të Elbasanit.

Në lajmin e shpërndarë nga Myftinia Elbasan në faqen e saj zyrtare ndër të tjera shkruhet:

“Ramazani, besim dhe përgjegjësi në shoqërinë bashkëkohore”, një aktivitet i zhvilluar në ambientet e Teatrit “Skampa”, i cili mblodhi besimtarë, përfaqësues institucionesh dhe qytetarë të ndryshëm.

Fjalën përshëndetëse e përcolli Kryetari i Komunitetit Mysliman të Shqipërisë, H.H Bujar Spahiu, ndërsa mesazhin e tij për këtë muaj të bekuar e dha edhe Myftiu i Elbasanit, H.Agim Duka, duke theksuar rëndësinë e forcimit të besimit dhe solidaritetit në shoqërinë tonë.

Programi u pasurua me ilahi të interpretuara nga grupi i fëmijëve, të cilët me pastërtinë dhe sinqeritetin e tyre sollën një atmosferë të veçantë shpirtërore.

Një moment i rëndësishëm ishte ligjërimi i Myftiut të Shkodrës, H. Muhamed Sytari, me temën: “Ramazani dhe Kurani, rikthim te Fjala Hyjnore në një botë të shpërqendruar”, një reflektim i thellë mbi nevojën për t’u kthyer te vlerat hyjnore në një realitet gjithnjë e më sfidues.

Më pas, imami dhe teologu i njohur Vladimir Kera trajtoi temën: “Etika e Ramazanit në jetën familjare, publike dhe profesionale”, duke ndriçuar dimensionin praktik të Ramazanit si një shkollë edukimi moral dhe përgjegjësie në çdo aspekt të jetës sonë.

Programi u mbyll me paraqitjen e fëmijëve në skenë, duke lënë një mesazh shprese, vazhdimësie dhe përkushtimi ndaj vlerave të besimit.”