Një natë e realizuar besimi, në hartën e “ditëve të numëruara”..!
Të dielën e 22 shkurtit 2026, xhamia e Bardhjave dhe Qendra Kulturore e saj ishin zbukuruar me dritat e Muajit Ramazan.
Dita e katërt e këtij Ramazani, ishte nisur drejt perëndimit, teksa ata, që dikur ishin fëmijët e mejtepit, sot të rinjtë aktivë të xhamisë, gumëzhinin në përgatitjet e fundit për iftarin vëllazëror të kësaj dite.
Bashkë me imamin e xhamisë, të nderuarin, H. Ilir Dizdari dhe grupin mbikqyrës, po bënin çdo përpjekje që çdo detaj të këndonte. Dhe, çdo detaj i këtij organizimi këndonte…
Shumë prej të rinjve të kësaj sofre bujare, dikur djemtë e mejtepit e “bylbylat e xhamisë”, siç thonin plot gëzim, më të moshuarit e kohës; sot, kanë kryer universitete, janë diplomuar e vazhdojnë specializimet në lëmi të ndryshme të diturisë. Shumë të tjerë në ato gjurmë të bekuara, vazhdojnë rrugën e lartësimit, për të kapur fillin e dijes së pakufizuar, në hapat e vëllezërve të tyre të mirë.
Më ngjajnë me të rinjtë e Kehfit, që përkushtimin e tyre e jetojnë në hapat e matur që hedhin në jetë, për t’u bërë secili një burim dobie dhe rrezatim i edukatës dhe formimit të mëkuar në xhaminë, që i rriti dhe i bëri burra të mbarë!
Sonte, u bashkuam në sofrën e iftarit, në sallën e Qendrës Kulturore, që e ka gjallëruar edhe më shumë këtë xhami, duke e bërë stacionin më të dashur për të gjithë banorët përreth.
Aty falen, aty takohen, aty bashkohen, aty argëtohen, aty kanë një pikë takimi e përherë, një derë që kurrë nuk mbyllet për këdo që troket, përtej çdo gjëje!
Fytyra të qeshura, urime e bekime, lutje e përshëndetje plot prekje vëllazërie, janë detajet që spikasin në një vështrim të shpejtë.
Shpejt e shpejt, koha e iftarit afron dhe të gjithë, me një lutje të heshtur e një tjetër në sfond, çelin ditën e re të një adhurimi të pashoq, që sa shumë na paska munguar…
Koha e iftarit rrjedh, si rrjedhat e Kirit, bri nesh dhe, për pak, jemi rreshtuar në safet e namazit të akshamit.
Ka ngelur akoma për të mbërritur koha e jacisë dhe një mexhlis për zemër, na bashkon në hallkën e një bashkëbisedimi të përzemërt, që ka shijen e ndejave të paharruara në memorien e secilit.
Dalëngadalë, xhamia nis të mbushet. Më të moshuarit me nipa e mbesa, baballarët me djem e vajza, të rinjtë me vëllezër e motra, por edhe ndonjë kalimtar, afrohet dhe me mbushjen e sallës së faljes afron edhe ora e ezanit, që na lajmëron për jacinë e kësaj nate dhe 20 rekatet e teravisë së shtrenjtë.
Ligjërata e kësaj nate, fokusohet tek një bashkëbisedim që një burrë i shpërqendruar ka me Plakun fytyrëbukur e mjekërbardhë që i troket në dyert e një ëndrre të çuditshme. Është Ramazani, që si simbolikë e rimëkëmbjes, vjen ta zgjojë nga gafleti i rutinave duke e ftuar që këto “ditë të numëruara” të tij, mos të kalojnë si çdo ditë e natë e përditshmërisë së hutuar…
Kënaqësinë e kësaj ligjërate e shton prania e sa e sa fëmijëve dhe të rinjve, që me gumëzhitjen e tyre, i japin jetë xhamisë, e në këmbim, marrin tharmin e etikës, moralit e qytetarisë së vlerave të besimit, që njeriun e mban përherë në ekuilibrin e duhur.
Një mbrëmje që nisi me iftarin e një dite plot përkushtim dhe u plotësua me detajet e një nate të ndriçuar me dritën e zemrës së secilit, që me praninë e tij, la një gjurmë të ndjerë në hartën plot llambushka të ndezura të kësaj dite Ramazani…
Allahu e pranoftë!
Imam Muhamed B. Sytari
Xhamia Bardhaj, më 22 shkurt 2026









