Myftiu bashkëbisedoi me motrat e Shkollës Verore, Postribë

Ditën e xhuma, më 26 qershor 2020, Myftiu i Shkodrës, Imam Muhamed B. Sytari, bashkëbisedoi me motrat pjesëmarrëse në Shkollën Verore, pranë Qendrës Kulturore Islame të Postribës.

Myftiu ligjëroi rreth domosdoshmërisë së leximit me urtësi të teksteve kur’anore dhe porosive të Resulull-llahut (a.s.), sidomos që ty atyre që lidhen me rolin dhe pozitën e femrës në krejt fazat e zhvillimit të saj në jetë.

Myftiu tha se Islami nuk e ka bunkerizuar femrën dhe se hixhabi është simbol i identitetit, zhvillimit, hapjes në shoqëri, dijes dhe personalitetit të fortë të vajzës tonë, motrës, bashkëshortes dhe nënës muslimane.

“Sa e sa emra të mëdhenj, si Hatixhe Kubra, Aishe Siddika, Um Seleme, Um Derda, etj., janë modele për t’u ndjekur, por njëkohësisht edhe thirrje e urtë shekullore që na nxit për edukimin e bijave tona për të qenë njerëz të mëdhenj e me kontribute të spikatura në shoqëri, në të gjitha ato fusha që i shkojnë natyrës femërore dhe përkushtimit të saj!”, – tha ndër të tjera Myftiu.

Ai iu përgjigj edhe pyetjeve nga të pranishmet, sikurse shpjegoi edhe disa nga ajetet dhe hadithet, që lidhen me rolin e femrës besimtare në jetë.

Myftiu falënderoi organizatorin e kësaj qendre, imamin e nderuar H. Shkëlqim Sykaj, për kontributin e madh dhe interesimin e vazhdueshëm për gjallërimin e aktivitetit islam në zonën e Postribës, por jo vetëm.