“Personalitete fetare, personalitete kombëtare” – ligjërata e katërt e seminarit trajnues me imamët e Shkodrës

Të hënën, më 20 korrik 2020, vijoi trajnimi 10 javor me imamët e Myftinisë Shkodër, ku ligjërues i radhës ishte historiani i njohur, studiuesi Dr. Ardian Muhaj, aktualisht drejtor i “Institutit Shqiptar të Mendimit dhe Qytetërimit Islam”(AIITC), Tiranë.

Dr. Muhaj, pas falënderimit për Myftininë Shkodër për organizimin e këtij seminari të rëndësishëm dhe për ftesën e tij, për të qenë pjesë e këtij trajnimi me vlerë, foli për rolin dhe kontributin e personaliteteve të shquara fetare e atdhetare, si Hafiz Ali Korça, Hafiz Ibrahim Dalliu, Hafiz Ali Kraja, Mulla Idriz Gjilani, H. Muhamed Çami, etj, në ngritjen kombëtare, si dhe ruajtjen e kultivimin e brezave me dashurinë për fenë dhe atdhedashurinë.

Dr. Muhaj, theksoi se ishin këto personalitete fetare dhe kombëtare që patën një kontribut të çmuar në Rilindjen Kombëtare, si dhe duke njohur rëndësinë e madhe të arsimimit të popullit shqiptar, përveç përpjekjeve për liri kombëtare, një krah të zhvillimit të veprimtarive atdhetare ia kishin kushtuar edhe hapjes së shkollave në gjuhën shqipe.

Ligjëruesi solli edhe shembuj konkret nga Libri i Krijuesit të Gjithësisë, ku Allahu (xh.sh.), pavarësisht se i krijoi njerëzit në popuj (kombe) e fise, i dha mundësinë e njohjes ndërmjet vete, si dhe dëshmimin me seriozitet e korrektësi si mëkëmbës të Zotit Një!

Binomi fé-atdhe, sipas Dr. Muhaj duhet të na thërrasë drejt tolerancës, bashkëjetesës paqësore dhe me dinjitet, si dhe mirëkuptimit, duke respektuar vlerat e njëri-tjetrit, pa hile e fshehje të urrejtjes dhe nënçmimit.

Më pas, disa prej imamëve të pranishëm bënë pyetje dhe dhanë mendimet e tyre në lidhje me temën e seminarit.

Në fund, Myftiu i Shkodrës, Imam Muhamed B. Sytari, pasi falënderoi ligjëruesin për trajtimin e kësaj teme plot dobi dhe të nevojshme, theksoi se gjurmët e hoxhallarëve të shkuar, e deri në ditët e sotme, në raportet e shërbimeve për çështjen kombëtare janë të panumërta.

Ai tha se falë studimeve, emrat dhe gjurmët konkrete të prijësve fetarë muslimanë janë të regjistruara, të botuara dhe në dorëshkrime dhe se imamët e sotëm, por edhe studiuesit, intelektualët dhe masat e gjera, duhet të jenë mirënjohës për shembulltyrën e hoxhallarëve dhe personaliteteve të shquara fetare islame në ngritjen dhe ruajtjen e vetëdijes fetare dhe kombëtare tek ne.