I dashtun Gazjon..!

(çdo fjalë e mirë për ty, nuk është kurrë e tepërt…)

I dashtun Gazjon..!
(çdo fjalë e mirë për ty, nuk është kurrë e tepërt…)

Herën e kaluar, kur para pak ditësh folëm, ti mezi merrje frymë, megjithatë njerzilleku jot dominoi mbi realitetin… Edhe në atë telefonatë, mirësia e jote e natyrshme qëndroi mbi sprovën tënde; nuk e lejoi të dilte mbi virtytin tënd..!

Ishe i njëjti, si përherë! Ashtu si të njoha që para shumë e shumë vitesh në xhaminë e Tophanës, në aktivitetet e panumërta, përgjatë orëve të gjata të punës së përbashkët për sa e sa botime e punë me dobi për komunitetin, në shërbimet e tua plot pathos, në zellin e papërshkrueshëm në organizimin e djemve, por jo vetëm…

Gjatë këtyre ditëve je përherë e më shumë në hatrin tim, sepse lëngata e jote na ka përfshirë të gjithëve në një vorbull reflektimesh e heshtjeje meditative mbi jetën, besimin, sprovat, miqësinë, vllazninë pa hile e me shumë dedikim zemre (si ajo, që përherë ke rrezatuar dhe vazhdon të na dëshmosh), përkushtimin në familje, atë me amanetin e familjeve shkodrane në Medresenë tonë, me xhematin, me krejt ata që të njohin, e që patjetër do të më miratojnë me një lëvizje koke plot dashamirësi, që përkthehet në një lutje të sinqertë për ty!

Në shoqërinë tonë të brishtë, shembulli jot mbetet modeli i pastërtisë, i moralit, i përkushtimit, i sakrificës në heshtje, i lodhjes me buzagaz, i vullnetarizmit ndërtues, i fjalës së ëmbël, i këmbënguljes për më të mirën!

Sot, të gjithë të përmendim me një lutje, me një shqetësim legjitim, me një kujtim të mirë, me një shpresë që nuk venitet, me një dëshirë të papërshkrueshme që dikush të na lajmërojë: Ia hodhi, elhamdulilah..!

Sot, të gjithë jemi në sprovë me vetveten, kur përmendet rasti yt, krejt jemi të ftuar të lutemi për ty, siç lutet vëllai për vëllanë e tij, pas shpine, duá, të cilës meleku i thotë: Amin!

Sot, krejt jemi në borxh moral e vëllazëror me ty, për çka, çdo gjë që jepet sot për ty, është në realitet një kontribut për të mirën dhe shembulloren në këtë jetë kalimtare, ku përherë e më shumë duhet të japim e të bëjmë për vlerat e shembujt!

Sot… Le të ngelen ca fjalë pa u thënë, sepse çdo fjalë e mirë për ty, nuk është kurrë e tepërt!

All-llahu ta lehtësoftë e qoftë razi me ty, Gazjon Rusi!

Imam Muhamed B. Sytari
Shkodër, më 26 korrik 2020