Myftiu priti mendimtarin e shquar islam, Dr. Salahudin Keftaro

Ditën e mërkurë, më 4 nëntor 2020, Myftiu i Shkodrës, Imam Muhamed B. Sytari, priti në një takim të përzemrët mendimtarin e shquar islam damasken, Dr. Salahudin Ahmed Keftaro.

Gjatë takimit të përzemërt, Myftiu vlerësoi kontributin e shquar të Dr. Keftaro dhe të Fondacionit Arsimor e Bamirës që mban emrin e Kryemyftiut të Madh të Sirisë, H.T. Shejkh Ahmed Keftaro (1915-2004), në Damask të Sirisë.

Me dhjetra studentë shqiptarë, kryesisht nga Shkodra, u diplomuan në njërin prej katër fakulteteve islame që menaxhon ky fondacion me famë botërore.

Myftiu e njohu mikun e madh me aktivitetin e Myftinisë Shkodër gjatë këtij viti, që përkon edhe me 30 vjetorin e rihapjes së xhamisë së parë pas 23 viteve të ndalimit me ligj të fesë në Shqipëri.

Nga ana e tij, Dr. Salahudin Keftaro shprehu kënaqësinë e tij për këtë vizitë, sikurse theksoi se gjatë këtyre ditëve të qëndrimit të tij në Shqipëri, ka marrë përshtypjet më të mira në lidhje me aktivitetin e Thirrjes Islame, frymën e besimit e bamirësisë, qytetarisë e vlerave të paqes dhe harmonisë sociale në vend.

Ai theksoi se gjatë takimeve të shumta me imamët, thirrësit, rininë dhe elitat e shoqërisë, vlerësoi se fryma e optimizmit që rrezaton Islami në shoqërinë shqiptare do të jetë një kontribues i mrekullueshëm për zhvillimin e vlerave më të mira në këtë vend të begatë.