“Ai që zgjohet i sigurtë në veten dhe familjen e tij,… është sikur t’i ishte dhënë pasuria e krejt botës!”

Të shtrenjtë e të dashtun të zemrës!

Na mëson Resulullahu (a.s), se: “Ai që zgjohet i sigurtë në veten dhe familjen e tij, i shëndoshë në trupin e tij dhe, që posedon ushqimin e ditës së tij, është sikur t’i ishte dhënë pasuria e krejt botës!”.

Këtë fjalë të madhe, që e kanë regjistruar Imam Buhariu dhe Imam Tirmidhiu, lyspet mos ta harrojmë asnjëherë, duke qenë përherë falënderues e mirënjohës ndaj Zotit tonë, për çfarë na ka dhënë e çfarë na begaton me të çdo ditë!

Biem shëndosh, zgjohemi shëndosh, jemi të sigurtë, nuk jemi në luftë a gjendje frike, kemi ushqimin e ditës, kemi harmoni e na qeshin fytyrat duke parë njëri-tjetrin e duke e falënderuar Zotin për çfarë na ka begatuar; pasha Allahun këto ndjesi nuk maten, as peshohen me florinjtë e botës!

Edhe kur biem të sëmurë e zgjohemi në lëngatë, porse nuk e harrojmë Zotin tonë, me durim e lutje e falënderojmë dhe shërim i kërkojmë, prap jemi në një gjendje pëlqimi e razilleku të brendshëm, që veçse i jep njeriut kuptimet e dobësisë e përuljes para Atij, që ka në dorë çdo gjë; edhe lëngatën, edhe shëndetin, edhe dhimbjen, edhe shërimin!

Ta falënderojmë Allahun me të madhe për çfarë na ka dhënë e na jep në çdo moment të jetës, të jemi falënderues e mos të harrojmë, se kjo botë është kalimtare, jo stacioni i fundit, jo qëllim në vetvete, porse amanet, që na është dhënë për ta ndërtuar me anë të falënderimit e mirënjohjes, për t’u kthyer jeta mbi tokë, me kontributin e secilit, në vendin e falënderimit e mirënjohjes!

Allahun e Madhëruar e falënderoj për secilin prej jush; për ngrohtësinë dhe dashninë, me të cilat më bëtë të ndjehem më i pasuri e më i lumturi njeri në botë! Se, çfarë vlere do të kishte jeta në një shoqëri pa dhembshurinë, mëshirën, dorën e sinqertë, lutjen e zemrës, mbështetjen e pakursyer, interesimin e vazhdueshëm, pyetjen dhe interesimin, merakun dhe sikletin, shtyrjen për t’u ngritur edhe më i fortë në këmbë, pas një sprove e vështirësie, që të thyen e të dobëson, pa e ndjerë e kuptuar?!

Allahume, unë jam i paaftë të shpreh mirënjohjen time për miqtë dhe vëllezërit e mi, gjithandej në botë, që në këto ditë që kaluan, ishin në krahun tim, si shfaqje e bekimeve Tua ndaj meje dhe familjes sime!

Të lutem, shpërblimin e merituar t’ia japësh secilit, duke ia shumëfishuar atë me siguri në vetvete e familje, shëndet në fizik e ushqimin e përditshëm, bekim e mirësi prej Teje!

Allahu ju dashtë e ju pastë në mbrojtje!

Imam Muhamed B. Sytari
Ankara, 21 nëntor 2020