Me ftesë të Asma Köprü Uluslararası Öğrenci Derneği, ditën e diel, më 22 nëntor 2020, Myftiu i Shkodrës, Imam Muhamed Sytari, ligjëroi rreth temës: “Ndërtimi i elitave në jetën e Resulullahut (a.s), në mesin e një grupi studentësh në Ankara.
Sipas postimit të bërë në profilin e tij zyrtar, Myftiu shkruan: “Me ftesën bujare të Asma Köprü Uluslararası Öğrenci Derneği zhvillova mbrëmë një bashkëbisedim të ngrohtë rreth zhvillimit të komunitetit të elitave në jetën e Resulullahut (a.s), në mesin e kërkuesve të dijes dhe studiuesve të zellshëm, që punojnë dhe veprojnë me dëshirë e përkushtim të madh për të mirën e dijes, shoqërisë dhe njerëzimit!
Janë mahnitëse tekstet e shumta kuranore dhe shembujt e gjallë në jetën e Pejgamberit tonë (a.s) në drejtim të zhvillimit të një shoqërie të shëndoshë elitare, ku secili ndjek dritën drejt së cilës është thirrur nga Zoti në jetë, duke dëshmuar fetarizmin e shëndoshë në shërbimet e tij ndaj jetës, shoqërisë dhe dobisë për njerëzimin, pa u ndalur tek detaje të papërfillshme, që zakonisht angazhojnë modele dekadente shoqërishë të keqformuara fetarisht dhe të abuzuara nga keqleximi që i bëhet çdo ditë fesë, gjithandej nëpër botë.
Theksova se muslimani është njeri i kohës, besimtar i thellë, i përkushtuar maksimalisht ndaj dijes dhe i ftuar për të bërë mirë në çdo fushë të jetës, në atë mënyrë që të spikasë me arritjet e tij dhe të dëshmohet me gisht për kontributet e tij të sinqerta!
Konfirmova faktin se muslimani nuk e njeh pesimizmin dhe thyerjen në jetë dhe se, me punën dhe përkushtimin e tij, ai jep çdo ditë një kontribut të heshtur për pastrimin e mjedisit shoqëror nga ‘këngët e kukuvajkave’ që ndjellin mjerim e pesimizëm shkatërrimtarë të moralit dhe psikologjisë së masave!
Ky takim më fali energji pozitive, sikurse më gjallëroi pas bekimit të madh, me të cilin Zoti i gjithësisë më risolli në jetë, pas një sprove të papërshkrueshme shëndetësore.
Sipas drejtuesve të saj, Asma Köprü Uluslararası Öğrenci Derneği është një organizatë e themeluar prej vitesh dhe me mbështetjen e popullit turk, ajo kujdeset për studentët e huaj që vijnë për të studiuar nëTurqi, veçanërisht në Ankara.
Aktualisht në Ankara, kryejnë studimet rreth 14000 studentë në fusha të ndryshme të dijes, të ardhur nga 130 shtete të botës.
Në thelb, Asma Köprü, synon që këtyre studentëve t’iu gjendet pranë gjatë kohës së studimeve dhe qëndrimit të tyre në Ankara”.