Myftiu: “Çështja e pronave, prioritet i abuzuar!”

Paraditën e së hënës, më 21 dhjetor 2020, Myftiu i Shkodër, Imam Muhamed B. Sytari, zhvilloi një takim pune me stafin e Myftinisë, ku u diskutua për aktivitetin dhe problematikat e kohëve të këtij viti, ku si pasojë e situatës së krijuar pas shfaqjes së pandemisë, shumë objektiva dhe aktivitete mbetën në letër.

Myftiu theksoi se çështja e pronave është prioritet i abuzuar, ku Myftinia Shkodër, përtej përpjekjeve të saj, është penalizuar nga mungesa e vullnetit dhe stërzgjatja e procesit të kthimit dhe regjistrimit të pronave të saj, si dhe si pasojë e keqmenaxhimit të tyre për shumë arsye, shpesh edhe joobjektive.

Myftiu dëgjoi relacionet e përgjegjësve të sektorëve të ndryshëm, sidomos atij të pronave, thirrjes islame dhe medias, ku u vu në dukje përpjekja dhe angazhimi për të bërë më të mirën në shërbim të vlerave universale të Thirrjes Islame, ruajtjes së dinjitetit dhe përfaqësimit sa më dinjitoz në rang lokal, kombëtar e përtej.

Myftiu falënderoi stafin e tij edhe për mbështetjen në sprovën e tij shëndetësore dhe u lut që e mira dhe begatia të përfshijë të gjithë besimtarët e mbarë njerëzimin dhe kjo situatë, shpesh kontradiktore e paradoksale, me të cilën po përballet njerëzimi, të kalojë sa më shpejt, pa dëme.