“Nga drejtimi i Dritës, mos u shkëput!”

Të dashur dhe të nderuar, motra dhe vëllezër besimtarë!

Ajeti 10 i sures El-Hashr, më ka frymëzuar përherë për të parë me sytë e besimit dhe largpamësinë e tij, thelbin e të jetuarit si besimtar dhe kufijtë e ekuilibrave të besimit dhe hipokrizisë në jetën tonë të përditshme.

Allahu i Madhëruar urdhëron: [Edhe ata që erdhën pas tyre, thonë: “O Zoti ynë, falna neve dhe vëllezërit tanë, të cilët kanë besuar para nesh dhe mos lejo që në zemrat tona të ketë asnjë të keqe ndaj besimtarëve! O Zoti ynë, Ti je vërtet i Butë dhe Mëshirëplotë!”].

Ejani të shohim me vëmendje detajet e kësaj thirrjeje hyjnore, që na fton të hedhim sytë nga historia e jonë, mos të humbim lidhjet me shkaqet e dinjitetit, krenarisë dhe të jetuarit siç i takon mëkëmbësit të Zotit në tokë dhe, të ruajmë e të forcojmë përherë e më tepër lidhjet e besimit në mesin tonë! Pra, të jetojmë si një ymet vlerash, i lidhur dhe i afruar, në bashkëpunim e interesim për njëri-tjetrin!

Tamam, siç na porosit Resulullahu (a.s): “Shembulli i besimtarëve në dashamirësinë, mëshirën dhe bashkëpunimin e tyre, është si shembulli i një trupi; kur një gjymtyrë lëngon, i gjithë trupi alarmohet i pezmatuar!”.

Ajeti në fjalë është historia e muhaxhirëve dhe ensarëve, që përhapet ndër shekuj si shembull për t’u ndjekur e frymë për t’u kapur fort pas saj në ecejaket e shoqërive tona dhe hendeqeve të shumta, që na pengojnë të jetojmë në harmoni më njëri tjetrin; hendeqe që duhet të përpiqemi me të gjitha mundësitë për t’i mbyllur dhe eliminuar nga realitetet tona!

Ajeti në fjalë është e sotmja e jonë, lidhjet me të shkuarën, drita e historisë dhe vezullimi i personazheve të saj, që na frymëzojnë përherë e më shumë drejt më të mirës.

Imam Fehrudin Razi thotë: “Dije se ky ajet ka përfshirë krejt besimtarët, sepse ata janë: ose muhaxhirët, ose ensarët, ose ata që vijnë pas tyre dhe sqaroi se është detyrë e atyre që vijnë pas muhaxhirëve dhe ensarëve të kujtojë të shkuarit, që janë muhaxhirët dhe ensarët, me lutje për mëshirë…”. A, siç thotë Imam Ibn Ashuri: “Ky ajet ka përfshirë çdonjërin prej muslimanëve deri në fund të kohës”.

Pra, në një mënyrë a një tjetër, jemi të ftuar për të ndjekur ecurinë dhe zhvillimet e ymetit, për të parë gjurmët e të shkuarve për t’i parë trupëzuara në veprimet e sotmëve, që punojnë ditë-natë për lartësimin e ymetit, për rizgjimin, për rimëkëmbjen dhe drejtësinë, për pastrimin nga hipokrizia dhe infeksionet e ndryshme të pranishme në trupin e ymetit, për shkak të pakujdesisë, hutimit e llogarive të ngutura e pa vizion!

Prandaj, ajeti i lartpërmendur është një adresë e zgjimit nga gjumi i neglizhencës, i daljes nga bataku i padijes, i ngritjes nga gjendja e nëpërkëmbjes së vlerave dhe i kthimit tek shkaqet e madhështisë së ndërtuar mbi bazat e dëshirimit të më të mirës për të gjitha krijesat e Zotit Një, me dinjitet e mëvetësi!

Është ftesë e hapur për të kërkuar për të parët tanë, për gjurmët e tyre, për t’u lutur për ta e për të kërkuar rrugët e mundshme për zhvillimin e mëtejshëm të asaj që na bën të kemi hise të madhe në dëshminë hyjnore: “Në të vërtetë, krenaria (fuqia) është e Allahut, e të Dërguarit të Tij dhe e besimtarëve, por hipokritët nuk e dinë.”!

Mos të harrojmë Resulullahun (a.s), burrat e mëdhenj prej sahabëve të tij, tabiinët e muxhtehidinët prej imamëve të ymetit, dijetarët dhe shpikësit e urtë, ndërtuesit e qytetërimeve dhe përhapësit e tolerancës, drejtësisë, paqes e stabilitetit, kudo e me këdo, aq sa shembulli i muslimanëve u bë argument tek mendjehapurit objektivë në mesin e studiuesve dhe inteklektualëve të shquar të perëndimit!

Është thirrje e madhe për të pastruar zemrën në hak të njëri-tjetrit, për t’u ndarë nga hipokrizia dhe për të vazhduar rrugën e ndërtimit të vlerave tona drejt dëshmimit të madhështisë së shpallur: “Ju jeni populli më i mirë i dalë për njerëzimin: (sepse) ju urdhëroni që të bëhen vepra të mira, i ndaloni të këqijat dhe besoni Allahun.”!

Dhe siç transmeton Imam Kurtubiu në tefsirin e tij: “Bëhu diell, e nëse nuk mundesh, bëhu hënë, e nëse nuk mundesh, bëhu yll ndriçues, e nëse nuk mundesh, bëhu yll i vogël por, nga drejtimi i Dritës, mos u shkëput!”.

Imam Muhamed Bardhyl Sytari
Myfti i Zonës Shkodër

(Hytbeja e xhumasë, më 5 shkurt 2021, në xhaminë e Fushë Çelës)

Ndiq hytben e plotë: