
Kryetari i Asamblesë së Madhe Kombëtare-TBMM të Turqisë, Prof. Dr. Mustafa Şentop, vizitoi qytetin e Shkodrës në ditën e dytë të vizitës së tij në Shqipëri.
Kreu i parlamentit turk, mori pjesë në ritet e faljes së xhumasë, në xhaminë e madhe “Ebu Bekër”, në qendër të qytetit të Shkodrës teksa u prit nga Myftiu i Shkodrës, Imam Muhamed B. Sytari
dhe stafi i tij.
Myftiu gjatë hytbes së xhuma trajtoi temën “Nga drejtimi i Dritës, mos u shkëput!”, duke përcjellë mesazhe të vëllazërisë, dashurisë dhe bashkëpunimit të ndërsjellët.
Imam Sytari falënderoi praninë e kryetarit të parlamentit të Turqisë në xhaminë e madhe si edhe për vizitën në Shkodër, duke u lutur për të dhe për të dy popujt vëllezër.
Nga profili i tij në facebook, Imam Muhamed Sytari shkruan: “Pata kënaqësinë e madhe sot, të pres në xhaminë e Fushë Çelës, “Ebu Bekër”, për faljen e namazit të xhumasë, ShTZ. Mustafa Şentop, kryetar i Asamblesë së Madhe të Republikës së Turqisë.
Ne gëzohemi pa masë me zhvillimin e mrekullueshëm të Turqisë, si një vend me një pozitë të veçantë në hartën e madhe të ymetit islam!
Siç e thashë edhe në hytben e xhumasë: “Gëzimi i tyre, është gëzimi i jonë, hidhërimi i tyre, është hidhërimi i jonë!”.
Pas faljes, Myftiu i Shkodrës në një prononcim për median tha se, ndër të tjera i tregoi Kryetarit të Asamblesë së Madhe Kombëtare të Turqisë mbi harmoninë fetare në qytetin e Shkodrës, si vlerë e madhe e dëshmuar ndër shekuj.
Myftiu e shoqëroi kryetarin e Parlamentit turk në të gjitha vizitat e tjera si në medresenë “Haxhi Sheh Shamia” në Shkodër, ku ndoqi programin e përgatitur nga nxënësit, ceremoninë përkujtimore të realizuar në memorialin e heroit të madh, Hasan Riza Pasha në Shkodër.