Hatmeja Sherife e Ramazanit mbledh besimtarët në prag të Natës së Kadrit

Ditën e shtunë, më 8 maj 2021, pas namazit të iqindisë në xhaminë e Parrucës, Myftinia Shkodër organizoi përmbylljen e Hatmes Sherife të këtij viti, leximi i së cilës nisi me fillimin e këtij Ramazani, si një traditë shekullore në qytetin e Shkodrës.

Besimtarë të moshave të ndryshme kishin ardhur për të marrë pjesë në këtë ceremoni, si dëshmi e përkushtimit ndaj Kuranit Famëlartë dhe mesazheve të ruajtjes dhe mësimit të tij ndër breza.

Ceremonia nisi me faljen e namazit të iqindisë, nën drejtimin e Myftiut të Shkodrës, Imam Muhamed B. Sytari, i cili i priu besimtarëve edhe në leximi e xhyzit të 30- të dhe të fundit nga Kurani Famëlartë, në mexhlisin e Hatmes Sherife.

Myftiu, së bashku me imamët e nderuar dhe hafizët e ardhur nga Turqia, udhëhoqën besimtarët në këtë përmbyllje plot emocione të leximit të plotë të Fjalës së Allahut, duke marrë e dhënë mirësi e dritë, nga mirësia dhe drita e Kuranit i Madhërishëm.

Ceremonia u përmbyll me duanë e bërë nga Myftiu i Shkodrës, në të cilën u lut për pranimin e kësaj Hatmeje Sherife, për agjërimin e Ramazanit dhe mirëqenien e besimtarëve.

Myftinia Shkodër falënderon përkushtimin e imamëve të nderuar dhe besintarëve të dashur, që me besnikëri e përkushtim, morën pjesë çdo ditë në këtë aktivitet të spikatur e tradicional në këtë Muaj të Begatë!