Fshati i Ri, nisën punimet për minaren e re të xhamisë

Ditën e enjte, më 28 korrik 2016, u zhvillua ceremonia e fillimit të punimeve për ndërtimin e minares së re të xhamisë Fshati i Ri, Postribë.

I pranishëm në këtë ceremoni të shumëpritur për besimtarët e zonës, ishte edhe Myftiu i Zonës Shkodër, Imam Muhamed B. Sytari, që shoqërohej nga teologu Ruzhdi Plangaj, imam i xhamisë Kiras, njëherazi këshilltar i Myftiut, z. Indrit Plangaj, imam i xhamisë Fshati i Ri, teologu Lavdrim Hamja etj.

Myftiu uroi të pranishmit për këtë mirësi të madhe, pasi, sikurse theksoi në fjalën e tij: "Ndërtimi i minares për xhaminë e Fshatit të Ri ka një domethënie të madhe dhe një simbolikë të shtrenjtë, që e lidh këtë zonë muslimane edhe më shumë me origjinën e besimit dhe traditat shekullore të saj".

Myftiu falënderoi donatoren e këtij projekti bamirës, një qytetare e nderuar, e cila ka kontribuar edhe më përpara për projekte bamirëse në ndihmë të komunitetit.

Gëzimin për fillimin e punimeve për minaren e re të xhamisë në Fshatin e Ri e shprehën edhe imami i xhamisë, si dhe teologu Ruzhdi Plangaj, të cilët falënderuan Myftininë Shkodër dhe donatoren për këtë bamirësi dhe interesim për këtë zonë.

Në shoqërinë e tekbireve dhe urimeve vëllazërore u hodhën themelet për minaren e re, që do ta kompletojë si duhet pamjen e jashtme të kësaj xhamie.