Ditën e diel, më 24 korrik 2016, qytetin e Shkodrës e vizitoi Hfz. Mehas Alija, imami i Bashkësisë Islame “El-Hidaje”, në qytetin St. Gallen, Zvicër.
Gjatë kësaj vizite ai u prit edhe nga Myftiu i Shkodrës, Imam Muhamed Sytari, sikurse zhvilloi një bashkëbisedim të ngrohtë vëllazëror për Radio “Jehona”.
Gjatë këtij bashkëbisedimi vëllazëror, Hafiz Mehas Alija dha mesazhe të shumta, që lidhen me besimin, thirrjen islame në Zvicër, mësimin e edukatës islame në gjuhën shqipe për fëmijët e muslimanëve shqiptarë në Zvicër, aktivitetin e Bashkësisë Islame “El-Hidaje”, bashkëpunimin ndërfetar etj.
Imami i nderuar tha se: “Fëmijët shqiptarë që frekuentojnë kursin e xhamisë, e flasin gjuhën shqipe më mirë se kushdo!” Njëkohësisht, sqaroi se nga hytbeja e xhumasë jepen përherë mesazhe, që lidhen me ruajtjen e traditave islame dhe atyre kombëtare, leximin në shqip dhe ruajtjen e gjuhës, si element i rëndësishëm i identitetit kombëtar.
Me imamin e nderuar bashkëbisedoi teologu Lavdrim Hamja, në kuadër të emisionit të përjavshëm, “Ora e xhumasë”, që transmetohet në Radio “Jehona”, ditën e xhuma, në ora: 11.00.