Myftiu: “31 vite, koha për të parë veten në pasqyrë, si bashkësi e si komunitet!”

Nëpërmjet minberit të xhamisë së Parrucës, të xhumanë, më 12 nëntor 2021, Myftiu i Shkodrës, Imam Muhamed B. Sytari, u përqendrua tek mesazhet e ceremonisë historike të rihapjes së xhamisë së parë në Shqipëri, 23 vite pas diktaturës ateo-komuniste, pikërisht më 16 nëntor 1990.

Në hytben e tij, Myftiu bëri një homazh dhe lutje për Hafiz Sabri Koçin, por edhe për hoxhallarët e shkuar, baballarët dhe besimtarët e sprovuar gjatë periudhës së komunizmit.

Myftiu tha se është koha të pyesim veten se ku jemi sot, pas 31 vitesh nga ajo ditë fatlume dhe se çfarë përgjegjësishë duhet të mbajmë mbi supe, si bashkësi e komunitet vlerash, që nuk duhet të pajtohet me këtë nivel e realitet ku ndodhet sot!

“A funksionon si duhet xhamia shqiptare, sot? A kemi ne myftini dhe myftilerë, xhami dhe imamë, medrese dhe mësues, vaize dhe predikuese, thirrës e thirrëse, që e kanë kuptuar thelbin e vetë Thirrjes Islame, që mbushin me plot gojë hapësirat ku shërbejnë, që i japin hakun kohës dhe përgjegjësive, që janë kudo me njerëzit, që ndjekin zhvillimet e realiteteve, që janë të vëmendshëm për axhendat drejt të cilave rrugëton vendi dhe kombi, që nuk lejojnë të nëpërkëmben, as të bien në batakun e sektarizmave të devijuara, thirrjeve dhe projekteve bashkëkohore që e duan Islamin si një rrymë pacifiste pa nerv e pa damar që rreh, si përbërës të një përzierjeje të re që prezantohet dhe reklamohet përherë e më shumë, si: “ibrahimizmi”, që s’është as fé, as moral, as liri besimi, si dinjitet, as udhëzim, veçse degradim e shturrje, poshtërim dhe devijim nga boshti dhe thelbi të të vërtetës?!”, – tha ndër të tjera Myftiu.

Në hytben e tij të kësaj jave, Imam Sytari iu qas edhe zhurmës së madhe mediatike që po ndodh këto ditë rreth tendencave për ndryshimin e kodit të familjes dhe miratimin e ligjeve të reja që devijojnë nga boshti i besimit dhe tabanit kombëtar.

“Dhe ejani pak të hedhim sytë nga shoqëria e jonë dhe të ndalemi tek tendenca e çuditshme dhe paradoksale për të prekur edhe rrënjët e tabanit dhe thelbin e organizimeve shoqërore, familjen dhe kodet s saj!

Është paradoks i madh dhe çudi e pashembullt, të shohësh sot një garim të frikshëm të disave që kanë pranuar të shesin dinjitetin dhe besimin, shenjtëritë dhe tabanin, për të arritur ndryshimin e kodit të familjes, për të prishur arshin e dashnisë dhe pozitës së naltë, ku Zoti ka vendos prindin: Nanen dhe Baben, për t’i kthyer ata në numra?!

A kthehet Nana në numër? A kthehet Baba në numër? O bij nanash, o bij baballarësh, a jeni në vete? A jeni njerëz ju?”, – tha Myftiu.

Hytbeja e plotë: