Ditën e hënë, më 7 mars 2022, Myftinia Shkodër në bashkëpunim me Shoqatën e Miqësisë “Shqipëri-Vende Arabe” organizoi një aktivitet kulturor me rastin e 7 Marsit, Ditës së Mësuesit.
Krahas pjesëmarrjes së drejtuesve të Myftinisë dhe shoqatës, të pranishëm ishin veteranë të arsimit në Shkodër, Malësi e Madhe e Pukë, të cilët me punën e tyre të palodhur dhe sakrifica edukuan dhe arsimuan breza të shumtë ndër vite.
Në fjalën e tij të hapjes, teologu Arben Halluni tha se: “Dita e Mësuesit është festë kombëtare jo vetëm për mësuesit e arsimtarët shqiptar, por edhe për nxënës e studentë, është një festë që festohet kudo, në çdo familje shqiptare.
Kjo është një traditë e bukur e krijuar tek ne, ku kujtojmë me respekt të thellë veprën e ndritur të mësuesve dhe patriotëve të shquar, që punuan me përkushtim dhe bënë sakrifica të mëdha, për zhvillimin e arsimit kombëtar”.
Ndërsa, Myftiu i Shkodrës, Imam Muhamed B. Sytari, tha se ai që do të mirën e kësaj bote le të mësojë nga urtësia e të urtëve, nga dija e mësuesve tanë të nderuar: “Në Kuranin Famëlartë, në librin e shenjtë që përfshin të gjitha librat e tjerë, lexojmë se Zoti i gjithësisë emrin më të bukur dhe cilësinë më të madhe të Madhërisë së Tij, Mëshirën, e ka lidhur me dijen, sepse thotë në Kuran citon: ‘Mëshiruesi ia mësoi Librin (Kuranin)’. Pra, Zoti i gjithësisë e bekoi këtë rrugë për mbarë njerëzimin. Dhe kushdo që do më të mirën dhe suksesin e mbarësinë le të kthehet nga dija. Prandaj, edukatorët tanë na mësuan se, kush kërkon lartësimin në këtë botë le të zërë dije dhe kushdo që do të mirën e të përtejshmes përsëri le të mësojë!”.
Ndërsa, z. Muammar Vuci, kryetar i Shoqatës së Miqësisë “Shqipëri-Vendet Arabe” në përshëndetjen tij theksoi se mësuesit janë njerëzit më shembullorë në të gjitha drejtimet dhe figura më e nderuar e kombit shqiptar si dhe shtresa që i ka dhënë zhvillim të madh dhe përparimit vendit.
Aktiviteti u pasurua edhe disa recitime të spikatura nga nxënëse të shkollës “Ndre Mjeda”, që dhuruan emocione të veçanta.
Në fund, Myftinia Shkodër shpërndau për të pranishmit dhurata simbolike si shenjë respekti, vlerësimi dhe mirënjohjeje për misionin e tyre fisnik në edukimin e brezave të ndryshëm.