
Myftiu Sytari: “Hëna e re e Mevludit dhe sezoni i ri shkollor, frymëzim për arritje të larta!”
Pasditen e së hënës, më 1 shtator 2025, në hapësirat e xhamisë së Krye-Bushatit, u zhvillua një bashkëbisedim i hapur me një grup të rinjsh dhe frekuentuesish të Qendrës Kulturore të kësaj xhamie.
Në krye të herës, imami i nderuar, H. Ridvan Luzaku, falënderoi të pranishmit dhe theksoi se takime të këtij lloji janë të shpeshta në ambientet e xhamisë së Krye-Bushatit, me qëllim rritjen e ndërgjegjësimit dhe lidhjes së brezit të ri me vlerat e besimit dhe trashëgimisë islame.
Të pranishmëve iu drejtua Imam Muhamed B. Sytari, Myfti i Shkodrës, i cili zhvilloi një bashkëbisedim mbi vlerësimin dhe shfrytëzimin e kohës dhe korrigjimin e marrëdhënies me hadithin: “Veprat shpërblehen sipas qëllimeve”.
Myftiu vuri theksin te përpjekja që duhet të bëjnë fëmijët dhe rinia e jonë për të përmirësuar marrëdhënien e tyre me kohën, duke mos ia falur atë grabitësve të shumtë, por duke e ndarë atë me leximin, adhurimet ditore, përmirësimin e marrëdhënieve në familje dhe dëshmimin si muslimanë të pjekur e të brumosur me vlerat e besimit të tyre.
Aktiviteti u pasua me bashkëbisedimin e hapur dhe pyetjet e ndryshme, që ia shtuan dobitë këtij tubimi të përzemërt.