Një traditë e bukur i shtohet sivjet atmosferës së Muajit Ramazan në Shkodër. Iftaret e vëllazërisë islame do të zbukurojnë qendrën e qytetit Shkodër në këto netë të bekuara të Muajit të shenjtë.
Falë punës së palodhur të imamëve të xhamisë Parrucë, teologëve Durim Kasemi dhe Naim Drijaj, si dhe mbështetjes së bamirësve shkodranë, Myftinia Shkodër vlerësoi propozimin për të zhvilluar iftaret e hapura, syfyret dhe pakot e iftareve për familje në nevojë përgjatë këtij muaji të begatë.
Projekti nisi natën e kaluar, ku Myftiu i Shkodrës, Imam Muhamed B. Sytari, mbajti një ligjëratë para të rinjve të ftuar, duke spikatur vlerat e rinisë në Islam.
Ndërkohë, sot, të martën, më 5 prill 2022, pas ligjëratës së imamit të xhamisë Parrucë, teologut Naim Drijaj dhe namazit të akshamit me xhemat, të ftuarit e këtij iftari gjallëruan oborrin e xhamisë Parrucë, duke ndarë mesazhet e vëllazërisë dhe harmonisë islame në mes vete.
Në fjalën e tij përshëndetëse, Myftiu Sytari dha mesazhet e harmonisë dbe vlerësoi atmosferën e dritshme të këtij Muaji.
Myftiu përsëriti thirrjen e tij për shenjtërimin e Muajit Ramazan, si dhe uljen e çmimeve dhe përhapjen e frymës së mëshirës dhe solidaritetit në mesin e njerëzve.