Myftiu ligjëroi në disa xhami shqiptare në Zvicër

Me ftesë të Qendrës Shqiptare për Integrim, Kulturë dhe Religjion në Lozanë të Zvicrës dhe kryetarit të saj, Mr. Fehim ef. Abazi, Myftiu i Shkodrës, Imam Muhamed B. Sytari, ligjëroi në disa xhami shqiptare të Zvicrës, në datat 8-11 prill 2022.

Fillimisht në xhaminë “Ebu Bekër”, të Komunitetit Shqiptar Mysliman në Biennë, pastaj në Qendrën Shqiptare për Integrim, Kulturë dhe Religjion në Lozanë dhe më pas në xhaminë “Dituria” në Gjenevë, Myftiu ligjëroi rreth temave që lidhen me konceptin e kohës në Islam, marrëdhënien e sotme me Kuranin dhe modelin e besimtarit të përkufizuar në Kuran, në raport me jetën dhe tjetrin.

Gjatë kësaj vizite të begatë, Myftiu zhvilloi takime të përzemërta me të nderuarit: H. Emin Odai (Bienne), Mr. Fehim Abazi (Lozanë), H. Rijad Aliu (Gjenevë), sikurse ligjëroi së bashku me të nderuarin Dr. Qani Nesimi (Myfti i Tetovës), etj.

Një moment i veçantë i kësaj vizite ishte takimi i përzemërt dhe bashkëbisedimi i gjatë me dy nxënës të hershëm të Hoxhës së madh shqiptar, H. Vehbi S. Gavoçi, të nderuarit Hoxhë Irfan ef. Abazi dhe Hoxhë Hamdi ef. Aliu.

Gjatë qëndrimit në Zvicër, Myftiu pati mundësi të shihte edhe arritjet e veçanta të qendrave islame shqiptare në disa qytete, si dhe përkushtimin e theksuar të imamëve dhe këshillave të xhamive në Zvicër.