Me ftesë të Kryetarit të Këshillit të Bashkësisë Islame në Viti të Kosovës, H. Husamedin ef. Hoxha, Myftiu i Shkodrës, Imam Muhamed B. Sytari, udhëtoi të enjten, më 14 prill 2022 drejt Kosovës, për të marrë pjesë në aktivitetin e KBI të Vitisë me rastin e Muajit Ramazan.
Pas bashkëbisedimit të përzemërt me Kryetarin e KBI Viti, H. Husamedin ef. Hoxha, Myftiu dhe mikpritësi i tij me bashkëpunëtorë, u drejtuan nga salla e madhe e Shtëpisë së Kulturës së qytetit, ku u zhvillua edhe aktiviteti në fjalë.
Në ligjëratën e tij, Myftiu i Shkodrës, hodhi dritë mbi vlerën dhe pozitën e Kuranit në jetën e muslimanëve, si dhe domosdoshmërinë për të reflektuar në marrëdhënien tonë me Librin e Allahut, për të gjetur mënyrat e shkëputjes së lidhjeve folklorike me të!
Imam Muhamed B. Sytari tha ndër të tjera se duhet patjetër të shkëputemi nga trajtimi mitologjik dhe folklorik që i bëjmë Kuranit, për të rikthyer në punë mendimin dhe përkushtimin me vetëdije ndaj thelbit të kuptimeve të Kuranit, për ta rikthyer dritën e tij në realitete të jetuara në mes nesh!
Myftiu u lut edhe për gjallërimin e mëtejshëm të aktivitetit fetar e kombëtar, që ka për qëllim promovimin e vlerave më të mira që na bëjnë të jetojmë me dinjitet dhe si mëkëmbës të Zotit në tokë.
Gjatë kësaj vizite, Myftiu Sytari u takua edhe me kryetarët e KBI të qyteteve Ferizaj dbe Kaçanik, me të cilët këmbeu mendime për domosdoshmërinë e rritjes së bashkëpunimit në të mirë të besimtarëve dhe bashkësive përkatëse.
Ligjërata e Myftiut të Shkodrës dhe krejt aktiviteti u përcoll edhe nga Plus Televizion.