Ditën e hënë, më 12 shtator 2016, nga ora 9-11 paradite, Myftinia Shkodër, organizoi në xhaminë e Parrucës pritjen tradicionale me rastin e festës së Kurban Bajramit. Në këtë pritje të ngrohtë, merrnin pjesë anëtarë të këshillit të Myftinisë dhe imamë të Shkodrës, të cilët nën drejtimin e teologut Arben Halluni, pritën miqtë dhe besimtarët e shumtë, të cilët erdhën për të uruar këtë ditë të madhe feste dhe adhurimi.
Të parët që uruan ishin përfaqësuesit e komuniteteve fetare, katolikë dhe ortodoks, të cilët përcollën urimet e tyre dhe të besimtarëve përkatës, duke uruar gjithë myslimanët festën e Kurban Bajramit. Ata theksuan se shqiptarët dhe sidomos shkodranët e kanë traditë urimin e festave të njëri-tjetrit, duke u lutur që paqja, toleranca dhe harmonia të mbretërojë gjithmonë në mesin e mbarë njerëzimit.
Gjithashtu edhe drejtues të pushtetit lokal, të Bashkisë, të Qarkut dhe të Prefekturës, por edhe drejtues të partive politike, uruan gjithë myslimanët me rastin e kësaj dite të madhe sakrifice dhe adhurimi për mbarë besimtarët myslimanë. Ata shprehën konsideratën e tyre për kontributin e institucionit të Myftinisë Shkodër dhe të myslimanëve shkodranë për harmoninë dhe tolerancën, e cila ekziston në qytetin tonë dhe në mbarë Shqipërinë.
Po ashtu, besimtarë të shumtë erdhën dhe uruan festën e bukur të Kurban Bajramit me urimet më të ngrohta dhe lutjet më të mira, për mbarësi dhe lumturi të gjithë besimtarëve myslimanë dhe paqe, harmoni e tolerancë në mbarë botën.
Në emër të Myftiut të Shkodrës, Imam Muhamed Sytari, (i cili këtë vit ndodhet në Haxh), të Myftinisë dhe të gjithë besimtarëve, teologu Arben Halluni falënderoi të gjithë miqtë dhe besimtarët e shumtë, që uruan dhe morën pjesë në ceremoninë e festës së Kurban Bajramit, por edhe besimtarët, të cilët morën pjesë në organizimin dhe mbarëvajtjen e ceremonisë me rastin e kësaj dite feste, që nga falja e namazit të sabahut, falja e namazit të Kurban Bajramit dhe ceremonia e pritjes së miqve dhe besimtarëve.