Në Shkodër ka nisur intensivisht puna për restaurimin e Xhamisë së Plumbit, monument kulture i kategorisë së parë, me mbështetjen financiare të Türkiye-s, pas marrëveshjes së nënshkruar mes dy vendeve, shqiptare-turke.
Myftiu i Shkodrës, Imam Muhamed Sytari gjatë xhumasë së datës 9 shtator 2022 u shpreh se ky restaurim madhor është një sihariq i madh për Shkodrën dhe mbarë Shqipërinë, premtim i mbajtur nga Presidenti i Türkiye-s, Rexhep Tajjip Erdogan, për të cilin jemi falënderues atij, qeverisë së tij dhe popullit vëlla turk.
Myftiu Sytari gjatë hytbes së xhumasë, iu përgjigj edhe n/kryetarit të Kuvendit të Shqipërisë, lidhur me debatin për shaminë e vajzave në shkolla në Kosovë duke hedhur poshtë pretendimet se shamia islame i shërben qarqeve serbe dhe i bëri thirrje atij dhe të gjithë politikanëve të tjerë që të heshtin.
“Ekstremizmi politik për fat të keq kur futë hundët në çështjet e fesë apo keqpërdorë fenë kthehet në një rrezik kombëtar dhe një kazëm që përpiqet ditë e natë për të shkatërruar harmoninë kombëtare dhe harmoninë ndërfetare në mes nesh…”, ka cituar në mes të tjerave Myftiu.
Në lidhje me projektin, kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, ka shkruar në rrjetet sociale se “U hap kantieri më i ri në fushën e trashëgimisë kulturore, për një nga objektet pa asnjë ekzagjerim më origjinale të arkitekturës islame në botë”.
“Xhamia e Plumbit, pjesë e rëndësishme e trashëgimisë sonë kulturore, do t’i nënshtrohet transformimit rrënjësor. Me ndërhyrjet në këtë xhami, besimtarëve do u kthehet një tempull në kushte optimale, por Shkodrës e gjithë Shqipërisë, do i shtohet një tjetër atraksion i madh turistik”.
Në lidhje me fillimin e zbatimit të projektit në fjalë ka reaguar edhe ministrja e Kulturës e Shqipërisë, Elva Margariti, e cila në rrjetet sociale ka shkruar se “Nisi puna për restaurimin dhe rehabilitimin e Xhamisë së Plumbit në Shkodër, këtij objekti unik me rëndësi për trashëgiminë kulturore.
Margariti ka theksuar se ky proces po bëhet i mundur falë bashkëpunimit me Qeverinë e Republikës së Türkiye-s.
“Projekti, konsiston në zgjidhjen e problemit të përmbytjes, në restaurimin dhe rijetësimin e monumentit të kulturës nëpërmjet rikualifikimit të zonës, duke ia rikthyer atë jo vetëm besimtarëve, por gjithë qytetit”, ka shkruar Margariti.
Një vit më parë, ministrja e Kulturës nënshkroi marrëveshjen për restaurimin e xhamisë me homologun e saj turk.
“Lajm i mirë – nisin nesër punimet e rikonstruksionit së xhamisë së “Plumbit”, kështu është shprehur, deputetja e Qarkut Shkodër, Edona Bilali.
“Prej vitesh qytetarët presin me padurim ta shikojnë xhaminë të restauruar. Për shkak të specifikimeve teknike, por edhe ligjore, ardhjes deri në pikën ku më në fund do të nisin punimet ju desh disa kohë.
Si deputete e Shkodrës, kam ndjekur në çdo fazë me institucionet afatet dhe ofrimin e zgjidhjeve në mënyrë që, zbatimi i projektit të niste sa më parë dhe që projekti mos të rrezikohej.
Kompania erdhi sot për të shprehur falënderimin për gatishmërinë dhe zgjidhjet e ofruara, por falënderimi i takon palës turke për mbështetjen, gjithë institucioneve që i dhanë zgjidhje problematikave të lindura si dhe Myftinisë Shkodër. Ritheksova që do jem në dispozicion deri ditën e inaugurimit.
Investimi tek xhamia e “Plumbit” pritet të këtë gjithashtu një impakt në rritjen e turizmit në zonë.
Nga nesër kemi një numërim tjetër mbrapsht, i cili me gjasë dhe shpresë është i fundit, ai i zbatimit të projektit deri në prerjen e shiritit ku besimtarët, qytetarët e Shkodrës dhe turistët të mund ta aksesojnë dhe shijojnë këtë monument kulture”.
Ndërkaq, ndërhyrja kryesore pritet të zgjidhë problemin e përmbytjeve, krijimin e një sistemi kullimi të sigurt, pengimin e ujërave vërshuese dhe restaurimin e e objektit. Mjedisi përreth saj do të kthehet në një park të denjë për besimtarët e turistët.
Teknikat e ndërtimit dhe materialet e përdorura në monumentin e kulturës dhe të gjitha detajet arkitektonike origjinale nuk do të cenohen.
Xhamia, e cila mbart vlera të rralla arkitekturore në vend, do të restaurohet me mbështetjen financiare të Drejtorë së Përgjithshme të Vakëfeve të Türkiye-s, në kuadër të protokollit të nënshkruar në Ankara mes dy vendeve.
Xhamia e Plumbit është xhamia më e madhe që ruhet në Shqipëri e stilit osman, me ndërthurjen edhe të arkitekturave të tjera.
Xhamia është ndërtuar nga Mehmet Pashë Bushati në vitin 1773-1774, duke shërbyer për një kohë të gjatë si xhamia më e madhe e Shqipërisë.
Të dhënat tregojnë se xhamia u ndërtua me gurë të sjellë prej popullit me sistem zinxhir (dorë më dorë) prej Gurit të Zi, dhe me tepricat u ndërtuan këmbët e urës së Kirit.
Në vitin 1948 Xhamia e Plumbit u shpall monument kulture, duke pasur statusin e mbrojtjes nga shteti.
Në vitin 1967, kur edhe zyrtarisht u ndalua feja në Shqipëri, xhamia pësoi dëmtime, sidomos me rrënimin e minares, ndërkohë në periudha të ndryshme ajo nuk është përdorur zyrtarisht për kryerjen e riteve.
Ajo mbetet një xhami simbol në Shqipëri, pasi rihapi dyert për besimtarët muslimanë më 16 nëntor të vitit 1990 pas ndalimit shumëvjeçar të fesë në Shqipëri gjatë periudhës famëkeqe të komunizmit.