Me ftesë të Qendrës Islame Kulturore Shqiptare (Bashkësia Islame Shqiptare “Ebu Hanife”), Myftiu i Shkodrës, Imam Muhamed B. Sytari, mori pjesë në ceremoninë e përurimit të xhamisë së re shqiptare në qytetin Troisdorf të Gjermanisë, që u zhvillua ditën e shtunë, më 1 tetor 2022.
Në një atmosferë të mrekullueshme, në mesin e shumë personaliteteve të shquara islame të trojeve tona shqiptare, imamëve dhe myftilerëve të ardhur nga Zvicra, Gjermania, Belgjika, Maqedonia e Veriut, Kosova e Shqipëria, autoriteteve vendore, përfaqësuesve të kishave të qytetit, besimtarëve të shumtë dhe interesimit të medias, ceremonia në fjalë, u kthye në një festë të madhe, të dëshmuar për organizimin e përsosur në çdo detaj.
Në fjalën e mbajtur para të pranishëmve, Myftiu i Shkodrës, Imam Muhamed B. Sytari, falënderoi organizatorët dhe krejt kontribuuesit për ngritjen e xhamisë së re shqiptare “Ebu Hanife”, në zemër të Evropës, duke dëshmuar se shqiptarët janë ambasadorë të vlerave islame dhe atyre kombëtare, pararojë e përhapjes së dritës islame, kudo në perëndim, sidomos në tri dekadat e para të këtij shekulli, nëpërmjet ngritjes së qendrave bashkëkohore islame dhe xhamive të reja në shumë shtete evropiane, për frymën e harmonisë, tolerancës dhe respektit njerëzor, si dhe shembullin e mrekullueshëm e largpamës në kultivimin e vlerave tona, kudo e me këdo, pa dallim!
Myftiu Sytari u lut për mbarësi dhe suksese të Xhamisë “Ebu Hanife”, kryesisë dhe imamit të saj, si dhe uroi që ky shembull i bukur të përhapet gjithandej, si një dëshmi e padiskutueshme e besnikërisë tradicionale të shqiptarëve ndaj fesë islame dhe amanetit shekullor të baballarëve.