Myftinia Shkodër, për gjatë një muaji organizoi në qendrën kulturore të saj në Zdrale, programin intensiv me tematikë: “Si të jemi të qëndrueshëm në besim?”.
Nën drejtimin dhe moderimin e teologes Zamira Bushati, pjesëmarrëset (psikologe, mjeke, dhe intelektuale të lëmive të ndryshme) në këtë cikël 5-javor të bisedave fetaro-psikologjike, që u përmbyll me sukses, diskutuan dhe mësuan me mjaft vlerë problematikat që has shoqëria shqiptare në përditshmërinë e saj, si rastet e paragjykimeve ndaj Islamit dhe myslimanëve, sidomos ndaj mbulesës së femrës, pengesat që hasen në jetën e përditshme, disa të vërteta rreth krijimit, lirinë në veprime, rreth ndërgjegjes së njeriut si dhe natyrën e jashtme dhe të brendshme të shpirtit të njeriut.
Pjesëmarrëset me profesionalizmin dhe njohuritë e tyre u dhanë jetë këtyre takimeve, të cilat ishin tepër të dobishme dhe me interes.
Myftinia Shkodër do të organizojë edhe në të ardhmen me të gjitha kapacitetet e saja, programe dhe cikle të tilla fetare dhe edukuese për të gjitha moshat me qëllim për të përmbushur misionin e saj fisnik në shërbim të së mirës së shoqërisë në përgjithësi.