Medreseja “Mehmed Fatih”, Myftiu i Shkodrës ligjëroi rreth sfidave të rinisë

Mbrëmjen e së martës, më 25 tetor 2022, me ftesë të Medresesë “Mehmed Fatih” dhe drejtorit të saj, Amer Šukurica, Myftiu i Zonës Shkodër, Imam Muhamed B. Sytari, ishte i ftuar si ligjërues në medresenë e Tuzit, në Mal të Zi.

Në kuadër të projektit: “Dituria është dritë”, Myftiu Sytari, ligjëroi rreth sfidave, me të cilat përballet sot, rinia islame.

Gjatë këtij aktiviteti, Myftiu vizitoi ambientet e medresesë “Mehmed Fatih”, sikurse ndau mendime dhe ide të vyera me drejtorin Šukurica dhe stafin e tij, duke theksuar se shqiptarët, gjithandej, kanë ditur ndër shekuj të ndërtojnë vlera dhe të rrezatojnë mirësitë e fesë islame, nga pikënisja e së cilës, përhapën dritën e harmonisë, dinjitetit dhe dijes, plot krenari e dinjitet!

Ai falënderoi kontributin e madh të krejt atyre të nderuarve, që angazhohen sot, për të mbajtur të pashuar këtë dritë dhe për ta transmetuar me besnikëri e urtësi edhe tek brezi i ri i fëmijëve të shqiptarëve në Mal të Zi.

Me rastin e kësaj vizite, Myftiu i Shkodrës dhuroi një pjesë të botimeve të tij, për librotekën e pasur të Medresesë “Mehmed Fatih” në Tuz të Malit të Zi.