Imam Muhamed B. Sytari flet për integritetin e gruas në Islam: “Vajza në Islam mëson dhe lartësohet me dije, jo në bunkerët e injorancës!”

Imam Muhamed B. Sytari flet për integritetin e gruas në Islam: “Vajza në Islam mëson dhe lartësohet me dije, jo në bunkerët e injorancës!”

Pas lajmit që mori para disa ditësh qeveria e Afganistanit, duke i privuar gratë nga e drejta e shkollimit në universitete, ka reaguar imami Muhamed B.Sytari, i cili ka mohuar se një vendim i tillë lidhet me atë që reprezenton islami, transmeton Fol Drejt.

Duke sjellë emra e shkurtimisht ngjarje që lidhen Pejgamberin Muhamed a.s., Sytari në ligjëratën e tij synon të shfaqë para audiencës integritetin që ka gruaja në islam, trajtimin e barabartë me gjininë mashkullore dhe konkretisht lirinë e plotë për t’u shkolluar.

“Kjo nuk ka të bëjë as me Islam, as me Kuran, as me traditat e Pejgamberit tonë a.s.. Nuk është një vendim islam dhe nuk është një vendim që e miraton feja islame”, shprehet Sytari duke kundërshtuar vendimin e qeverisë afgane.

Siç thotë Sytari, islami që në krye të herës ka ardhë për ta fisnikëruar njeriun, qoftë mashkull apo femër, e në veçanti ka ardhë për ta fisnikëru vajzën, motrën, nanën, në mënyrë specifike.

Duke iu referuar Pejgamberit Muhamed a.s. dhe respektit e dashurisë me të cilin e trajtonte të bijën e tij, Fatimen; bashkëshorten e tij, duke shëtitur me të, duke e ndihmuar në kryerjen e punëve të shtëpisë, imam Sytari mëton të nxjerrë një shembull prej të cilit reflektohet trajtimi i gruas sipas parimeve të islamit.

“Në prag të 2023tës, në një vend me kulturë islame, të privohen vajzat nga universitetet, kjo është një paradoks shumë i madh, të cilin nuk e pranon Kurani, nuk e pranon tradita islame, nuk e miraton tradita e Pejgamberit a.s., e refuzojmë dhe e kundërshtojmë me të madhe dhe kushdo që përpiqet t’ia veshë islamit këtë, ia kthejmë mbrapsht me të madhe, ngjashëm si në rastin e terrorizmit”, shprehet Sytari.

“Islami nuk e privon as djalin e as vajzën për t’u lartësu në gradat e nalta të dijes, përndryshe nuk do të gjenim me dhjetëra e me qindra emra sahabiesh të nderuara prej të cilave mësuam fenë e Allahut nëpërmjet transmetimit të tyre të fjalës së Pejgamberit a.s.”, shton ai tutje.

E për ta argumentuar vlerësimin që islami ia bën gruas, Sytari përmend shembullin ku rektorja e universitetit të parë “në faqen e dheut është femër”, njofton Sytari.

“Universiteti i parë ne faqen e dheut është drejtuar nga një grua e nderume myslimane. Allahu i lartëson ata të cilët kanë besuar në mesin tuaj dhe ata të cilëve u është dhënë dija në gradat më të larta”, ky lartësim është në mënyrë absolute për këdo, burrë, grua, vajzë, djalë.”

Sytari argumentet e tij i forcon tutje edhe përmes një hadithi të Pejgamberit a.s., në të cilin thuhet se “kërkimi i diturisë është obligim për çdo musliman”, pa kurrfarë dallimi në gjini, bën tutje me dije Sytari.

Në përforcimin e argumenteve te tij, imami sjell një numër të madh emrash të grave, të cilat nga pozicione të ndryshme të mësuesisë, ndikuan në edukimin e arsimimin e emrave të mëdhenj në fenë islame.

Me hadithin e me shembujt, Sytari synon të prezantojë karakterin e fesë islame si një fe e cila nuk e bunkerizon “vajzën tonë, përkushtimi dhe devotshmëria është kudo, më shumë se brenda mureve të xhamisë është jashtë mureve të xhamisë, jashtë mureve të shtëpisë…devotshmëria është në komunikim me njerëzit”, thotë Sytari.

“Vajza jonë është e fisnikërume, e respektume, ia hapim dyert e zemrës, dyert e mendjes drejt bankave për të mësu, për t’u eduku, për të ba masterin, doktoraturën, për të jetu me dinjitet, duke ruajtur integritetin e saj, krenarinë e saj islame, vlerat e saj dhe duke u dëshmu si njeri që përhap të mirën”, përfundon Sytari, duke përmendur krejt në fund Egesta Lopshin, si njërën ndër shkencëtaret më të famshme të fushës së saj në botë, e brumosur me kulturën islame.

(www. foldrejt.com)

Shiko videon e plotë: