Ditën e shtunë paradite, më 31 dhjetor 2022, Myftinia Shkodër organizoi në xhaminë e Parrucës konferencën 11-të vjetore të imamëve, teologëve dhe thirrësve islamë të Shkodrës, me temë: “Morali, virtytet dhe dinjiteti njerëzor në islam”.
Myftiu i Shkodrës, Imam Muhamed Sytari në mesazhin dhe temën e tij: “Të dërguarit e Allahut, shembuj të gjallë të moralit, rrezatim për njerëzinë”, u ndal te fenomenet negative që kanë mbuluar kudo shoqërinë shqiptare. “…Bazat e moralit dhe virtytit janë lëkundur jo pak në shoqëri, nga shthurja, hutimi, injoranca, primitivizmi, prapambetja, degjenerimi dhe rrëshqitja në epshet shtazarake, shtirjes, viktimizimit, shitjes së dinjitetit, politikave të shitura, agjendave të mbrapshta dhe të shëmtuara për zhveshjen nga morali dhe feja, me të cilët përballet sot individi dhe shoqëria shqiptare…!”.
Myftiu Sytari në vijim të mesazhit të tij, hodhi poshtë disa pretendime të politikës së dështuar mjerane duke thënë se nuk ka Islam arab apo shqiptar. “Muslimani nuk është njeri i izoluar, siç disa politika mjerane të kohës sonë përpiqen ta pasqyrojnë dhe ta dëshmojnë e ta tregojnë me gisht. Nuk ka nevojë për frymëzimet diktuese në raportet që ka me fenë e tij, aq më tepër kur këto frymëzime vijnë përtej pragut të jashtëm të derës së shtëpisë. Kanë për tendencë ta marrin për dore drejt bidateve të reja të afetarizmit të maskuar me matricën e fesë dhe ndërfetarizmit. Nuk ka Islam të vjetër dhe Islam të ri, sikurse nuk ka Islam shqiptar dhe Islam arab, siç dëgjojmë shpesh në foltoret e dështuara të politikës mjerane shqiptare, por jo vetëm. Këto janë propaganda të investuara për të krijuar përherë hendeqe në raportet tona me njeri-tjetrin!”
Në këtë konferencë referuan, përveç Myftiut, edhe 13 imamë dhe teologë të Shkodrës duke përcjellë vlera, studime, mesazhe dhe këshilla të dobishme për moralin dhe virtytin njerëzor.
Temat që u referuan ishin si vijon:
1. “Të dërguarit e Allahut, shembuj të gjallë të moralit, rrezatim për njerëzinë” – Imam Muhamed B. Sytari, Myfti i Zonës Shkodër
2. “Islami, si garanci për një shoqëri të moralshme” – Durim Kasemi, imam – xhamia Parrucë
3. “Shumësia e ajeteve që nxisin ruajtjen e moralit dhe mesazhet e tyre” – Lavdrim Hamja, imam – xhamia e “Dy Vajzave”
4. “Njeriu, mëkëmbës i Zotit në tokë” – Samel Haxhia, imam – xhamia Dudas
5. “Tefsir i ajetit: “Me të vërtetë, ti je në një gradë të lartë të moralit!” – (Kalem: 4) – Ervil Kuçi, imam – xhamia Dërgut
6. “Objektivat islame, garanci e ruajtjes së dinjitetit njerëzor” – Ruzhdi Plangaj, imam – xhamia Kiras
7. “Resulullahu (a.s), mbrojtës i dinjitetit njerëzor” – Idmir Plaku, imam – xhamia “Ebu Bekër”
8. “Tefsir i hadithit: “Jam dërguar për të plotësuar moralin e mirë!” – Naim Drijaj, imam – xhamia Parrucë
9. “Shembulli i të dërguarve të Allahut në dëshmimin e moralit dhe virtyteve në komunikim” – Ardit Hoxha, imam – xhamia Shirokë
10. “Roli i kurseve fetare në edukimin e brezit të ri me moralin islam” – Arben Halluni, teolog
11. “Gruaja dhe morali nëpërmjet ajeteve dhe haditheve” – Adem Pizga, imam – xhamia Perash
12. “Morali, si shkak i fitimit të pëlqimit të Allahut” – Anis Agovi, imam – xhamia Guci e Re
13. “Mbrojtja e dinjitetit njerëzor në rregullat juridike të shkollës hanefite” – Ensar Ismajlaj, imam – xhamia Dërgut
14. “Edukimi i fëmijës me cilësitë e besimit” – Besim Barbullushi, imam – xhamia Rus
Në fund të konferencës të pranishmëve iu shpërnda libri i konferencës së vitit të kaluar, kalendarë të namazeve ditore, gazeta “Udha Islame”, etj.
Të gjithë temat e mbajtura në konferencës së 11-të do të botohen në libër, siç janë botuar deri tani edhe librat e konferencave të mëparshme.