Myftinia Shkodër çmon harmoninë fetare në qytet në Ditën Ndërkombëtare të Besimeve
Në kuadër të Ditës Botërore kushtuar besimeve fetare, Myftinia Shkodër, përmes përfaqësuesit të saj, teologut Arben Halluni ka përcjellë për televizionin RTSh Shkodra mesazhin e paqes, tolerancës dhe harmonisë.
Teologu Halluni e vuri theksin tek liria e besimit që sipas tij pas një privimi të gjatë nga regjimi kriminal komunist, duhet të ruhet më shumë, të çmohet dhe kultivohet ndër breza.
Ai përmendi kontributin e vyer të Hafiz Sabri Koçit dhe të klerikëve të tjerë për rikthimin e besimit në vendin tonë, të cilët janë një vlerë e madhe kombëtare e popullit shqiptar.
“Në bashkëjetesën mes komuniteteve fetare, qyteti i Shkodrës zë një vend të veçantë, ndaj harmonia fetare s’ka si të mos jetë e shkëlqyer” – ka thënë teologu Halluni.