Ky Islam është fé universale, jo thirrje lokale a “pronë e arabëve dhe turqve”, siç shprehet dikush në gjendje dehjeje intelektuale dhe ngarkese kompleksesh fetare të pajustifikuara!
Ky Islam është Drita e Zotit të Vërtetë, thirrja e Tij për të gjithë ne, përgjatë historisë së njerëzimit dhe dallgëve të saj!
Sado të goditet pas shpine, sado të gjuhet përballë, sado të paraqitet shëmtueshëm nëpërmjet artit të pamoralshëm e urrejtjes karikatureske të zemërmbyllurve, Islami ngelet garanci e përjtshme e Paqes, Tolerancës dhe Ekuilibrit, kudo në botë!
Nuk i imponohet askush dhe asgjë! Nuk vlen asnjë hile dhe asnjë përpjekje e dështuar për “ta zënë mat”!
Ne gabojmë, harrojmë e devijojmë, hutohemi dhe ngatërrojmë, na mund nefsi e, mund të humbim edhe fillin e udhëzimit e dritën e tij, por Islami mbetet Bardhësi, që s’ka njollë njeriu, kushdoqoftë ta hirtësojë a ta zizojë, kurrë!
Ky Islam është Dritë, drita e këtij shekull! Drita, drejt së cilës, mendjet më të urta e intelektualët më të spikatur në botë, janë udhëzuar drejt tij! Kështu ndodh edhe sot! Kështu do të jetë përherë!
Dhe, siç thotë Shejkhul-Ez’heri, Imam Ahmed Et-Tajjib: “Unë jam musliman, që e dua krejt njerëzinë! Unë jam i shqetësuar për çështjet e paqes, me krejt këndvështrimet e saj fetare, shoqërore dhe botërore. Unë kërkoj për këtë paqe dhe ia dëshiroj krejt njerëzve, sado të ndryshme të jenë atdheu, racat dhe kombet e tyre, dhe sido që të jenë fetë dhe përkatësitë e tyre!
Allahu nuk i ka krijuar njerëzit që të vriten, të torturohen a të ngushtohen në jetesën e tyre. Allahu nuk ka nevojë që dikush të marrë shpirtra a të terrorizojë në emër të Tij!”
Dhe, siç na edukuan Mësuesit tanë dhe siç e përsëriste shpesh Edukatori ynë i madh, Shejkh Ahmed Keftaro: “Islami është feja e shekullit 21!”
Imam Muhamed B. Sytari
Myfti i Zonës Shkodër
Shkodër, më 7 janar 2023