“Allahu lartëson me këtë Kur’an ca popuj dhe poshtëron me të ca të tjerë!”
– “All-llahu e shpalli të folmen më të mirë, Librin, të ngjashëm në mrekulli, të përsëritur herë pas here (me këshilla e dispozita), që prej (dëgjimit të) tij rrënqethen lëkurët dhe zemrat e tyre. Ky (libër) është udhëzim i All-llahut, me të udhëzon atë që do. E atë që All-llahu e lë të humbur, për të nuk ka ndonjë udhëzues.” – (Kur’ani, Ez-Zumer: 23)
Lajmi për lejimin nga autoritetet suedeze e djegies së Kur’anit, ditën e sotme, para ambasadës turke, në Suedi, nga kryetari i një partie të djathtë ekstreme, më hidhëron, por njëkohësisht ma shton besimin në Librin e Allahut, ku lexojmë e lexojmë për shumëçka që kemi parë e dëgjuar, por edhe për sa e sa që akoma nuk ka ardhur nga sjellja e paparanueshme e pasuesve të librave të tjerë kundër Islamit dhe muslimanëve: “Ju patjetër do të sprovoheni si në pasurinë tuaj, si në vetën tuaj, madje do të dëgjoni ofendime të shumta prej atyre që u është dhënë libri para jush, e edhe prej idhujtarëve, po në qoftë se duroni dhe ruheni, ajo është gjëja më vendimtare.” – (Kur’ani, Ali Imran: 186).
Ky akt, përveçse mjerim e dekadencë morale dhe jo vetëm, është dëshmi se kjo fé dhe Libri i saj janë alternativa e shpëtimit të njerëzimit nga katrahurat e degradimit, shthurjes, keqpërdorimit të fesë, lirisë dhe politikës nga tregtarë të djallëzisë, thatësirës shpirtërore dhe shkretëtirës së humanizmit të pastër!
Njëkohësisht dëshmon se asgjë s’e ndal dot as zhvillimin dhe përparimin e Turqisë, (zhvillimi i së cilës na gëzon dhe për të cilën lutemi pa ia nda, për të dhe për ata miliona shqiptarë që jetojnë në atë tokë kulturash e civilizimesh botërore, siç lutemi për veten!), përtej përpjekjeve në grahma të derdimenëve cepave të globit (përfshi edhe të shpërfytyruarit në mesin tonë), profetëve të së keqes dhe nxitësve të kiametit, që gjithsesi nuk vjen kur duan shejtanët!
Le të kthehemi nga Kur’ani, të ftojmë të tjerët drejt tij, ta nxjerrim nga xhamitë, ta dëshmojmë dritën e tij me këdo, t’ia mësojmë përmendësh fëmijëve tanë, ta studiojmë e të meditojmë në thellësitë e sekreteve të tij, të vishemi me dritën dhe kulturën e tij, ta citojmë sa të mundemi dhe të bëhemi shkak që edhe ata që nuk e njohin, të bien në kontakt me madhështinë e tij, që të mbërrijmë sëbashku më shkallën e lartë e dëshmimit të vërtetësisë së paprekshme të tij, për të cilën dëshmon Vetë Zoti i gjithësisë: “Ne do t’ua bëjmë atyre të mundshme që t’i shohin argumentet Tona në horizonte dhe në veten e tyre deri që t’u bëhet e qartë se ai (Kur’ani) është i vërtetë. A nuk mjafton që Zoti yt është dëshmitar për çdo gjë?” – (Kur’ani, Fussilet: 53)
Sot, jemi të ftuar të shkojmë pas thirrjes shekullore: “O ju njerëz! Juve ju erdhi nga Zoti juaj këshilla (Kur’ani) dhe shërimi i asaj që gjendet në kraharorët tuaj (në zemra), edhe udhëzim e mëshirë për besimtarët.” – (Kur’ani, Junus: 57), për të shëruar realitetet tona me dritën e Kur’anit, për ta bërë atë të kuptueshëm për njerëzit, për t’ia prezantuar siç është shpallur nga Zoti i gjithësisë, jo siç janë mësuar të dëgjojnë për të nga misionarë të deformimit të fjalës së Zotit, a të paditur që e keqlexojnë dhe shëmtueshëm e interpretojnë!
Sot, është koha të gjejë secili prej nesh një pozicion në raport me Kur’anin, që siç dëshmon i Dërguari i Allahut (paqja dhe bekimet e Tij qofshin mbi zotninë e tij): “Allahu lartëson me këtë Kur’an ca popuj dhe poshtëron me të ca të tjerë!” – (transmetuar nga Imam Muslimi).
Nxitja e urrejtjes fetare mbetet krim barbar, që duhet të dënohet nga të gjithë! Ajo, vetëm liri e shprehjes nuk mund të jetë!
Imam Muhamed B. Sytari
Myfti i Zonës Shkodër
Medineja e Ndriçuar, më 21 janar 2023