Deri në frymë të fundit..!
E papërshkrueshme ndjesia, para gjurmëve të Ma të Mirit. Qëndroj në heshtje dhe hedh sytë përreth. Dritë, dashni, mall, pastërti, dinjitet…
Kanë kaluar 15 shekuj, qëkur ajo Dritë hyjnore shndriti në maje të një mali, diku në Mekë, për të ngrohur me të çdo zemër të gatshme, të denjë e të pranuar në divanin e bardhësisë…
Kanë kaluar 15 shekuj, qëkur besniku i kohërave, Hz. Muhammed (paqja dhe bekimet e Allahut qofshin mbi të), hapi dyert e zemrave me çelësat e Kur’anit Famëlartë, për të shpëtuar njerëzinë nga humbja e sigurtë!
Adhuronin gurin, drurin, i bënin shok Zotit Një, i quanin melekët, “vajzat e Allahut”, thonin se ka djalë, padrejtësitë kishin kapur kupën e qiellit…
Me durimin e largpamësit, me dashninë e të urtit, me qëndrueshmërinë e të vendosurve, me urtinë e të dërguarve të Allahut, për 23 vite e pastroi gadishullin arab nga çdo gjurmë shirku, injorance e padrejtësie!
E qendisi Kur’anin në zemrat e tyre, duke ia dëshmuar me veten e tij, sesi mund të jetosh, si një kopje e pafalsifikueshme e Librit të Allahut!
Kanë kaluar 15 shekuj dhe ja, tashmë jam ulur para gjurmëve, që s’i fshin asnjë furtunë e ligësi, i përulur para Dritës së Udhëzimit, falënderues me zemër në sexhde, me duart e zgjatura, në ripërtëritje të besëlidhjes, i qetë dhe vendosur, me lutjen: Deri në frymë të fundit..!
Imam Muhamed B. Sytari
Medineja e Ndriçuar, më 1 Rexheb 1444