Ditën e mërkurë, më 12 tetor 2016, Myftinia Shkodër zhvilloi një bashkëbisedim rreth librit: “Rrënjët Islamike të Evropës” me autor Massimo Jevolella, përkthyer nga z. Zija Vukaj.
Aktivitetin e hapi teologu Arben Halluni, i cili në emër të Myftinisë Shkodër i uroi mirëseardhjen të pranishmëve dhe falënderoi përkthyesin Zija Vukaj për punën e tij të vlefshme në përkthimin e këtij libri. Ai theksoi se libra të tillë janë ftesë për të gjithë njerëzit, që të njohin realitetin rreth Islamit dhe myslimanëve në Evropë.
Përkthyesi i librit, z. Zija Vukaj bëri një përmbledhje të librit duke theksuar se dëshira për përkthimin e librit i lindi menjëherë pas leximit të tij, duke parë se libri në fjalë është një argument dhe fakt, se Evropa ka në rrënjët e saj qytetërimin islam. Ai ndër të tjera bëri një jetëshkrim për autorin e librit, Massimo Jevolella, i cili ka një aktivitet të dendur në fushën e eseistikës (“Akme”, “Studime katolike”, “Servitium”, “Panorama”, “Millelibri” etij), korrespondent i kulturor në “Il Giornale” dhe drejtor në “Meridian”.
Gjithashtu përkthyesi Vukaj ftoj të pranishmit dhe këdo, që ka dëshirë të mësojë rreth të vërtetës së rrënjëve të Evropës, të lexojnë librin “Rrënjët Islamike të Evropës”, sepse libri është i gjithi fakte dhe të vërteta, të cilat shumë prej njerëzve nuk i njohin dhe nuk i kanë njohur.
Më pas fjalën e mori teologu Lavdrim Hamja, i cili falënderoi të pranishmit për përgjigjen e ftesën dhe në emër të Myftiut të Shkodrës, u përcolli selamet dhe përshëndetjet e rastit. Teologu Hamja theksoi se një libër i tillë erdhi në kohën e duhur, duke ditur se përhapja e islamofobisë dhe deformimi i imazhit të Islamit dhe myslimanëve, janë gjëra të pabaza dhe aspak të vërteta.
Islami është përhapur gjithmonë me paqe dhe bindje, e asnjëherë me dhunë. Evropa e mori qytetërimin nga Islami dhe myslimanët dhe për këtë duhet të jetë mirënjohëse. Myftinia Shkodër ka qenë dhe do të jetë promotor i përçimit të vlerave, dijes dhe kulturës së bukur islame dhe myslimane. Ai falënderoi z. Zija Vukaj për përkthimin e tij të dobishëm për mbarë lexuesit shqipfolës.
Këtë aktivitet e përshëndetën edhe drejtori i Medresesë, z. Kujtim Dervishi, i cili përmendi kontributin dhe punën e palodhur të profesor Zijasë, që po jep në fushën e letërsisë, me shkrimet, redaktimet dhe përkthimet e tij me vlerë.
Shkrimtari Xhahid Bushati, falënderoi përkthyesin e librit, z. Vukaj dhe Myftininë Shkodër për këtë aktivitet, që vjen në kuadër të muajit të librit, muajit tetor.
Gjithashtu përshëndeti edhe Prof. Dr. Bajram Xhafa, i cili vlerësoi shumë librin dhe shtoi se, luftërat e bëra në Ballkan kanë qenë viktimizim i Islamit dhe i myslimanëve, duke përmendur faktin e shpërnguljes së një milion myslimanëve në fund të shek. XIX dhe gjithashtu lufta I Botërore dhe luftërat ballkanike.
Në aktivitet morën pjesë imamë, intelektualë, drejtues të Medresesë, të dy degëve të saj, djem dhe vajza, mësues dhe besimtarë.