Myftiu priti Fortlumturinë e Tij, Kryepeshkopin Joan
Paraditen e së dielës, më 21 dhjetor 2025, Myftiu i Shkodrës, Imam Muhamed B. Sytari priti në një takim kortezie, Fortlumturinë e Tij, Kryepeshkopin Joan, kreu i Kishës Ortodokse Autoqefale të Shqipërisë.
Gjatë takimit të përzemërt, Myftiu i Shkodrës shprehu kënaqësinë e tij për këtë vizitë të parë të F.T. Joanit në qytetin e Shkodrës, ku theksoi se, mozaikut të bukur të bashkëjetesës dhe harmonisë ndërfetare i shtohet sot edhe ky gur i çmuar, nëpërmjet kësaj vizite domethënëse.
Nga ana e Tij, Kryepeshkopi Joan u shpreh i gëzuar për këtë vizitë në Myftininë e Shkodrës dhe vlerësoi mikpritjen e Myftiut Sytari, ku vlerësoi qëndrimet e Myftinisë Shkodër dhe të Myftiut të saj në shumë çështje të përbashkëta dhe me interes për shoqërinë, si çështja e pronave të zaptuara, ajo e familjes, etj.
Gjatë bashkëbisedimit të përzemërt, Myftiu i Shkodrës dhe Kryepeshkopi Joan vunë theksin te rëndësia që ka sot ruajtja e vlerave të familjes, e tabanit kombëtar, sikurse u theksua se komunitetet fetare me punën e tyre janë pjesë e pandarë e garantimit të sigurisë kombëtare, për ç’ka ata duhen vlerësuar më shumë dhe duhet marrë në konsideratë roli i tyre i padiskutueshëm në shoqëri, në ruajtjen e ekuilibrave, në mbrojtjen e paqes sociale dhe edukimin e breznive me frymën e shenjtë të besimit dhe vlerave universale të tij.
Takimi vijoi me një bashkëbisedim të këndshëm rreth çështjeve me interes të përbashkët, ku Myftiu dhe Fortlumturia e Tij ishin të një mendimi për intensifikimin e takimeve, bashkëpunimit të mëtejshëm dhe rritjes së aktiviteteve të dobishme për të mirën e shoqërisë.
Në fund u këmbyen edhe dhuratat simbolike, si shenjë falënderimi dhe mirënjohjeje për këtë takim të përzemërt.


















