Myftiu i Shkodrës vizitoi Bashkësinë Islame në Luginën e Preshevës
Ditën e enjte, më 25 dhjetor 2025, me ftesë të Kryetarit të Bashkësisë Islame për Preshevë, Bujanoc dhe Medvegjë, H. Nexhmedin ef. Ademi, Myftiu i Shkodrës, Imam Muhamed B. Sytari, zhvilloi një vizitë dyditore, e para e këtij lloji në Luginën e Preshevës.
Myftiu i Shkodrës zhvilloi një vizitë në ambientet e Bashkësisë Islame për Preshevë, Bujanoc dhe Medvegjë, ku u prit nga Kryetari i saj, H. Nexhmedin ef. Ademi me bashkëpunëtorë.
Gjatë takimit të përzemërt, u diskutua për një sërë çështjesh me interes të për përbashkët, në krye të cilave ishte bashkëpunimi dhe rritja e rrugëve të komunikimit në shërbim të besimtarëve.
Myftiu Sytari ligjëroi edhe në mbrëmjen kur’anore, që u organizua nga BIPBM dhe Forumi Rinor “Rahovica”, në sallën e madhe të kulturës në Preshevë, që nisi me urimet dhe mesazhet e Kryetarit të Bashkësisë Islame për Preshevë, Bujanoc dhe Medvegjë, H. Nexhmedin Ademi, si dhe Kryetarit të Forumit Rinor, H. Leutrim Asllani. Programi vijoi me ligjëratën e Myftiut të Shkodrës, si dhe mesazhet e urta të studiuesit të afirmuar, Dr. Musa Musai.
Ndërkohë, ditën e xhuma, më 26 dhjetor 2025, Myftiu i Shkodrës iu drejtua besimtarëve të pranishëm në xhaminë qendrore të Preshevës me mesazhe të qarta që kanë të bëjnë me rritjen e harmonisë, vëllazërisë, solidaritetit dhe mbi të gjitha ruajtjen e identitetit islam dhe kombëtar në rrugëtimet e dëshmimit të vlerave islame, edhe si pjesë e trashëgimisë shekullore të paraardhësve tanë.
Poashtu, sekretari organizativ i Myftinisë Shkodër, H. Lavdrim Hamja ligjëroi në xhaminë e Corroticës, në Komunën e Preshevës, ku iu drejtua besimtarëve me mesazhe të urta në atmosferën e begatë të Tre Muajve të Mirë në prag të muajit të madhërishëm të Ramazanit.
Vizita e parë e Myftiut të Shkodrës në Luginën e Preshevës u prit me nderime dhe respekte të mëdha nga drejtuesit e BILP dhe besimtarët e shumtë, të cilët i uruan atij mirëseardhjen dhe kërkuan që këto vizita të jenë më të shpeshta.


























