Të gjitha falënderimet e plota dhe madhështia absolute i takojnë vetëm All-llahut të Madhëruar, Zotit Një, Krijuesit Fuqiplotë, i Cili e krijoi njeriun në formën më të përsosur.
Për më të përsosurin e krijesave të Tij, Ai zgjodhi më të përsosurën rrugë drejt Dashnisë së Tij; Islamin!
Për të përcjellur si duhet dhe me përsosmëri çdo detaj të fesë së Tij, përzgjodhi nga mesi i racës njerëzore, rreth 124 mijë të dërguar, për gjatë shekujve. Ata i dërgoi, që njeriu të mos devijonte, të furnizohej në vazhdimësi me udhëzimin hyjnor dhe të ruante ritmet e rrugëtimit të tij drejt Dashnisë së Zotit…
Nga mesi i atyre 124 mijë, veçoi 25 e, nga ata, 5; Nuhun, Ibrahimin, Musain, Isain dhe Muhammedin (a.s). Nga ata të pestë, zgjodhi vulën e tyre mbarë, Hz. Muhammedin (a.s), me të cilin plotësoi dhe përsosi shpalljen shekullore të fesë islame…
Atë e rrethoi me më të përsosurit e racës humane pas të dërguarve; sahabët e nderuar dhe, brez pas brezi përzgjodhi më të mirët e tyre për mbajtur amanetin e Thirrjes mbi zemra, mbi supe, mbi shpirtra…
Formula e vetme e arritjes së gradës së privilegjit të kësaj përzgjedhjeje universale, kulmon në dy fjali: “La ilahe il-lall-llah Muhammedun Resulull-llah”!
Falë All-llahut, u udhëzuam drejt saj, njëkohë që mund të ishim pasues të formulës: “La ilahe il-lall-llah Salihun Resulull-llah”, a: “La ilahe il-lall-llah Nuhun Resulull-llah”, a: “La ilahe il-lall-llah Isa Resulull-llah”, a e cilësdo prej 124 mijë formulave të historisë së njerëzimit, a (Zot na ruaj) edhe kundërshtarë të tyre!?
Elhamdulilah na zgjodhi si pjesë e ymetit të Hz. Muhammedit (a.s) dhe na mjafton krenari dhe madhështi në këtë jetë e në të përtejmen!
Mirëpo, ajo që dua të shtroj sot, para jush është, nëse e kemi pyetur veten ndonjëherë se, a ia kemi dhënë hakun e duhur formulës hyjnore të jetës e të shpëtimt, apo jemi nga ata që ndryshe flasin e ndryshe veprojnë, tjetër pretendojnë e diç ndryshe janë?!
Është një pyetje që shpesh duhet t’ia bëjmë vetes, aq më tepër, kur shohim përreth vetes, sesa shumë paragjykime na pengojnë e na ndalojnë të jemi siç pretendojmë!
Përse të ketë frikë muslimani shqiptar për ta dëshmuar fenë e tij haptas, si paraardhësit e tij, që për mbi pesë shekuj ishin drejtuesit e mbarë botës, përhapësit e paqes, mirëqenies, të drejtave e mbrojtës të dinjitetit njerëzor, pa dallim feje, race e kombi?
Përse të stepet muslimani shqiptar nga propaganda e mirëorganizuar islamofobe dhe osmanofobe kundër tij dhe fëmijëve të tij? Përse të lejojë manipulimin e historisë së tij kombëtare, devijimin në harame kombëtare, frikë kombëtare, dinjitet të vrarë kombëtar, varfëri e mjerim kombëtar, abuzim kombëtar me tekstet shkollore të fëmijëve të tij etj?
Shpesh, dikush më thotë: “Përse nuk mblidhemi dhe të lutemi kundër zullumqarëve, t’i shkatërrojë Zoti?”
Edhe? Çfarë pastaj? A jeni të denjë ta drejtoni vendin në vend të zullumqarëve? A kemi ndryshuar, që të ndryshojë bota me ne? A jemi të denjë për Islamin që e pretendojmë, për të shfaqur kudo mëshirën e tij, dijen, përparimin, moralin, harmoninë, vlerat, pushtetin ndërtues etj?
Përderisa ne muslimanët do të ngelemi peng i viruseve dhe propagandave antirimëkëmbje, (a i rimëkëmbjes së mangët e sakate), që të tjerët kanë vendosur ndër ne, (nga jashtë dhe nga brenda), për të na shkatërruar nga brenda e për të na goditur nga jashtë, ne nuk mund të pretendojmë të shohim dritën e rizgjimit!
Por, mos u dëshpëroni, rizgjimi i ymetit ka nisur, ky shekull është shekulli i Islamit! Ngrihuni dhe kapuni fort pas fesë suaj, pas moralit tuaj, pas genit e tabanit, pas traditës dhe nderit dhe, mos toleroni njeri në botë t’ju prekë fenë! Sepse, kush ju prek fenë, ju ka prekur shpirtin!
Imam Muhamed B. Sytari
Myfti i Zonës Shkodër
Shkodër, më 14 tetor 2016
(Nga frymëzimet e hytbes së xhumasë së sotme në Xhaminë e Plumbit)