Tradita e bukur e iftareve të vëllazërisë islame vazhdon edhe këtë vit
Tashmë shtrimi i iftare në xhamitë e Shkodrës, dhe veçanërisht në xhaminë e Parrucës, është kthyer në një traditë të bukur. Atmosfera e Muajit Ramazan në Shkodër zbukurohet me iftaret e vëllazërisë islame, ku besimtarë të xhamive të ndryshme mblidhen së bashku për të çelur agjërimin e ditës.
Kjo traditë e bukur realizohet falë punës së palodhur të imamëve të xhamisë Parrucë, teologëve Durim Kasemi dhe Naim Drijaj, si dhe të bamirësve shkodranë, të cilët nuk hezitojnë të kontribuojnë në shtrimin e këtyre iftareve, por jo vetëm, sepse ata dhurojnë edhe ndihma të ndryshme ushqimore, për familjet në nevojë.
Përpara çdo iftari, që shtrohet për besimtarët, imami ose teologu i ftuar mban një këshillë disa minutëshe për agjëruesit, të cilët janë ftuar të çelin iftarin së bashku.
Myftinia Shkodër falënderon angazhimin e të gjithë imamëve gjatë këtij Muajit të Begatë të Ramazanit, dhe njëkohësisht falënderon të gjithë vëllezërit, të cilët janë përfshirë në këtë traditë të bukur, biznesmenë, e të tjerë, që me kontributin dhe punën e tyre zbukurojnë atmosferën e qytetit me shtrimin e iftareve në xhamitë e Shkodrës.
Allahu i Madhëruar e shpërbleftë me të mira secilin prej tyre, në dynja dhe në ahiret.