Në xhaminë e fshatit Shirq-Mushan, ku fëmijët mbajnë të ndezur pishtarin e amanetit të baballarëve!

Në xhaminë e fshatit Shirq-Mushan, ku fëmijët mbajnë të ndezur pishtarin e amanetit të baballarëve!

Përgjatë Muajit të Begatë të Ramazanit, në të gjitha xhamitë e Shkodrës zhvillohen aktivitete, ligjërata, këshillime, iftare e tubime të dobishme, që në vetvete përkthejnë më së miri frymën e këtij Muaji të rimëkëmbjes, gjallërimit të shpirtit dhe përcjelljes së vlerave të besimit në gjithësi!

Pa dyshim, kontributi i vyer i shumë imamëve tanë të nderuar, kthehet në një borxh moral në hak të edukatorëve, mësuesve dhe përhapësve të fesë tonë në realitetet e xhamive dhe përtej tyre; borxh moral, që nuk shlyhet dot me asnjë lloj shpërblimi, të qenë a të paqenë, të merituar a të mohuar, të shlyer a të injoruar ndër dekada!

Përgjatë këtij Muaji, kam qenë në kontakt të vazhdueshëm me stafin e ngushtë, me imamë dhe këshilltarë, me xhematin dhe besimtarët, nëpërmjet takimeve ditore, vizitave në xhami, në mexhlisin e hatmes a në namazit e teravisë, por jo vetëm.

Kam marrë dhe kam dhënë, kemi diskutuar e jemi këshilluar në mes vete, për atë që është më e mira dhe, për të cilën shpresojmë vetëm të jetë pranuar nga Zoti i gjithësisë, Allahu i Madhëruar.

Pa dyshim, se një ndër xhamitë e spikatura për ruajtjen e frymës së këtij Muaji dhe gjallërimin e tij nëpërmjet përkushtimit të imamit dhe përgjigjes së familjeve muslimane dhe brezit të ri në veçanti, është edhe xhamia e fshatit Shirq-Mushan!

Ndoshta, shumëkush as që e di se ku bie ky fshat, por nuk është ky qëllimi i këtyre rreshtave.

Ajo që dua të theksoj është fakti i pamohueshëm se, përtej zbrazjes së fshatit nga banorët, për shkak të largimit të qytetarëve të tij drejt vendeve të ndryshme të botës për kushte më të mira jetese dhe, për të kapërcyer pragun e rrëmujës dhe anarkisë, skamjes dhe mospërfilljes së të drejtave të qytetarit; në xhaminë e Shirqit, akoma rrin ndezur një dritë…

Një dritë, sa 1000 pishtare, që përkujdeset për shërbimet e saj, imami i përkushtuar, veterani i aktivitetit fetar në xhamitë e Shkodrës dhe përtej, H. Kujtim Cufaj!

Në fillim të Ramazanit, më kontaktoi dhe më lajmëroi për nijetin e tij për të bërë itikaf krejt Muajin Ramazan në xhami!

Subhanallah! U habita dhe e përgëzova, duke u lutur për mbarësinë e tij, që gjithsesi, me këtë veprim të përsëritur ndër vite, po dëshmonte përkushtimin ndaj fëmijëve të asaj zone në veçanti, pa përmendur komunitetin e përzier, muslimanë e katolikë, të cilët e duan të gjithë dhe e respektojnë Hoxhën pajtimtar e bamirës, fjalëmatur e bashkues në mesin e njerëzve!

Edhe ditën e përurimit të xhamisë, prifti i kishës katolike, ishte aty me ne, si të për shprehur mirënjohjen e tij dhe të komunitetit që përfaqëson, për të gjithë ne, por për Hoxhë Kujtimin në veçanti!

Çdo natë Ramazani, fëmijët janë xhemati kryesor i xhamisë Shirq-Mushan! Të rinjtë dhe të rejat janë yjet ndriçues të qiellit që mbulon këtë Shtëpi të shenjtë! Dhe, kjo meriton një falënderim dhe mirënjohje të madhe për Hoxhën e nderuar, por për çdo familje muslimane të kësaj zone, që ia ka besuar rrezen e shpirtit dhe dritën e syve, imamit dhe xhamisë!

Është dritë shprese, që pa dyshim na mbush me mirësi e bekim dhe na dëshmon madhështinë e misionit të edukatorit në jetën tonë, madhështinë e këtij Islami rregullator të jetës, madhështinë e këtij Muaji që na mban gjallë e na frymëzon drejt asaj që vjen, me mbarësinë dhe bekimet e Allahut!

Allahu i bekoftë fëmijët tanë, i nderoftë imamët dhe prijësit tanë fetare dhe na bëftë prej rregullatorëve me krenari, udhëzuesve me dinjitet, pajtimtarëve me urtësi!

Imam Muhamed B. Sytari
Myfti i Zonës Shkodër

Shkodër, më 19 prill 2023