Fitër Bajrami, ditë e madhe e adhurimit dhe vëllazërisë islame
Që në orët e para të sabahut të ditës së xhuma, më 21 prill 2023, xhamitë e Shkodrës, në qytet dhe fshat, u tejmbushën me besimtarë, duke u bërë dëshmitarë të një ripërtëritjeje të mrekullueshme të fetarizmit dhe lidhjes me xhaminë në Shkodër.
Myftiu dhe imamët, dhanë mesazhe të lidhen me të sotmen, besimin, afrimin me vlerat e Islamit dhe gjallërimin e marrëdhënies me Kur’anin Famëlartë në përditshmërinë tonë.
Në vasin e tij, në xhaminë e Parrucës, Imam Muhamed B. Sytari, Myftiu i Zonës Shkodër, bëri thirrje për t’u distancuar nga zullumet, vrasjet, droga dhe veset, që duan t’i marrin frymën vendit.
Myftiu vuri theksin edhe te rëndësia e lidhjes me trashëgiminë e vjetër islame, falë së cilës në trojet shqiptare dominon fryma e harmonisë dhe tolerancës ndërfetare, për të cilën tha se duhet ta dëshmojmë si një mrekulli prej mrekullive të shenjtërisë së fesë islame dhe burimeve të saj të pastra e të pandryshueshme.
Ai foli edhe për atmosferën e mrekullueshme të Muajit Ramazan dhe u lut për qytetin e Shkodrës, Shqipërinë dhe mbarë njerëzimin, që të kenë dritë, udhëzim dhe paqe.
Në momentin e faljes së Fitër Bajramit, Myftiu shprehu zhgënjimin e tij për mospraninë në xhami të deputetëve dhe kandidatëve për kryetar të Bashkisë Shkodër.