“Mbushet me shend shtëpia jonë!”
Rastësisht po dëgjoja sot, zëdhënësin e njërës prej partive turke, që kandidojnë për kryetarin e shtetit turk në votimet e kësaj fundjave, që fliste për shqetësimin e tij me rastin e rihapjes së Aja Sofisë për adhurim, në shërbim të besimtarëve. E lidhte këtë veprim me “Perandorinë Osmane” dhe e konsideronte “tekë juridike me pasoja të mëdha për kombin”.
(M’u kujtua zhurma e kukuvajkave në mediat botërore, ato ditë historike në prag të rihapjes, ditën e saj dhe ato që pasuan. Shqetësim i madh dhe kundërshtime pa fund për “hallin e madh” të Xhamisë shekullore, simbolikës dhe historisë së saj; ndër qëndrimet më paradoksale dhe qesharake që mund të kem parë në jetë!? Elhamdulilah, Allahu na e mundësoi ta dëshmonim atë ditë dhe të faleshim më pas në hapësirat plot përshpirtje të Saj!)
U ndala pak dhe me bindjen absolute në triumfin e atij Burri të madh që u bë shkak në rihapjen e saj, duke e dëshmuar veten si Fatihu i ri në lutjet dhe paralajmërimet e elijave të kohës, (që u larguan nga kjo botë me dhimbjen e mbylljes së padrejtë të një Xhamie-simbol dhe një Simboli të Rimëkëmbjes së pakthyeshme); u luta për ymetin tim, për Ringritjen e dëshmuar në Librat tonë dhe ndjenjën e madhe të përjetimit të kësaj kohe me Burra-simbol dhe Dëshmi të shenjta që preken në realitete të jetuara!
Ata miliona shqiptarë, që këtë të dielë votojnë në tokën e vjetër legjitime të katragjyshërve dhe erës së lavdisë së tyre historike, kanë rastin të ripërtërijnë Kujtimin e mirë të së shkuarës plot nur, shpirti i së cilës nuk u shua kurrë dhe falë sinqeritetit të atyre që kaluan, qëndrueshmërisë plot fisnikëri dhe këmbënguljes së motivuar të atyre që pasuan me dinjitet të parët besnikë, e sotmja bëhet më e forta dëshmi e rimëkëmbjes së patjetërsueshme!
Dhe, fakti që andej-këndej, trumbetarët e frikësuar fryejnë pa u ndalur në dëshpërimin e madh të jetës; mblidhen e thërrasin, paralajmërojnë e bërtasin kundër kësaj Fryme, e bën atë, në këtë kontekst, të pathyeshme dhe të triumfuar nga Zoti, përtej kufijve të politikës së rëndomtë, interesit dritëshkurtër, shitjes a blerjes së dinjitetit njerëzor!
Përtej politikës dhe labirintheve të saj: Urime dhe bekime, për shqiptarët e Türkiyes, vëllezërit tanë turqë, botën islame dhe mbarë njerëzimin!
Janë dy gjëra të ndryshme: leximi i historisë dhe mahnitja me personazhet e saj karizmatikë e të spikatur dje, si dhe dëshmimi i një kohe me Burra, që nesër, do të mbeten histori lavdie për ata që vijnë dhe mbi të gjitha, urë ndërlidhëse me hallkat e zinxhirit të Dritës së pashuar, që mban në genet e saj prekjet e thirrjes së shenjtë: “mëshirë për botët”!
“Bashkohen dega e tharë me rrënjën e përcëlluar,
Një dritë krejt e gjelbër gjethes i vjen!
Në bedenat e kalasë kërcet shenja;
Populli, dallgë-dallgë te flamuri vjen!”, do të thoshte Kësakyrek…
“Ata që kërcasin dhëmbët, thyhen një ditë,
Na kthehet plot emër e famë fati jonë;
Nga qielli një dorë fshin sytë tërë lot,
Mbushet me shend shtëpia jonë!”
Imam Muhamed B. Sytari
Myfti i Zonës Shkodër
Shkodër, më 10 maj 2023