Mesazh urimi i Myftiut të Shkodrës, Imam Muhamed B. SYTARI
– Me rastin e Kurban Bajramit
– Arafat, Mekë, 27 qershor 2023
Të dashur vëllezër dhe motra muslimanë,
Të nderuar bashkëqytetarë,
Desht Allahu i Madhëruar që edhe këtë vit të jem në mesin e miliona haxhilerëve nga mbi 180 shtete të botës, me të cilët po ndajmë kënaqësi të papërshkruara, këtu në Mekë, pranë Qabes së Madhnueshme dhe stacioneve të tjera të shenjta të saj.
Sot, që në orët e para të sabahut, u nisëm nga Minaja drejt Arafatit, fushës së besimit dhe adhurimit më të famshme në historinë e njerëzimit. Në këtë vend, ku të dërguar të Allahut dhe besimtarë përgjatë shekujve, janë lutur dhe përgjëruar për mëshirë dhe falje, për begati dhe mirësi, për vete dhe mbarë racën njerëzore.
Të gjithë jemi veshur me të bardha, të gjithë kemi një qëllim, të gjithë mezi presim të nisim lutjet e kësaj dite, nga koha e mesditës dhe deri në aksham.
Bashkë me 110 haxhilerët e Shkodrës dhe mbi 800 nga mbarë Shqipëria, do të lutemi me zemër për të gjithë ju, për familjet, paqen, sigurinë dhe mirëqenien në mesin tonë.
Do të lutemi për forcimin e vlerave të familjes dhe pastrimin e realiteteve të reja shqiptare nga kolonizimet e pamëshirshme, që na shërbehen si oferta dashamire, por që në thelb synojnë të shkatërrojnë tabanin e familjes, moralin, rininë, arsimin, politikën, zhvillimin e vendit, pasuritë e tij, por jo vetëm.
Mesazhet e Kurban Bajramit janë të qarta dhe na ftojnë të kthehemi me zemër nga Zoti Një, Krijuesi i gjithësisë, të mbrojmë dhe të dëshmojmë pa mëdyshje identitetin tonë islam, përkatësinë tonë shpirtërore, vokacionin tonë historik dhe ruajtjen e vlerave të harmonisë kombëtare, pa toleruar cytjen dhe abuzimin e askujt me vlerat dhe krenarinë tonë legjitime.
Ju uroj Kurban Bajramin, me lutjet e atij që beson fort se Rimëkëmbja e vlerave islame, veçse e forcon tabanin tonë kombëtar, e rikthen shoqërinë në ekuilibrat e trashëgimisë së shekujve të lavdishëm, kur shqiptarët drejtonin botën, e mbron nga çdo prekje tinzare, që synon tjetërsimin e mbështetur mbi trillimin dhe falsifikimin e historisë, si dhe e shpëton rininë nga kllapia shumëdimensionale; shpirtërore, intelektuale dhe kulturore, drejt së cilës tërhiqet çdo ditë padrejtësisht!
Allahu ju dashtë dhe ju begatoftë!
Myftiu i Juaj
Imam Muhamed B. Sytari