U zhvillua edicioni i 11-të i Konkursit të Madh Fetar me nxënësit e mejtepeve të zonave administrative Postribë dhe Rrethina
Ditën e enjte paradite, më 13 korrik 2023, në xhaminë Kullaj, Myftinia Shkodër përmes sektorit të arsimit organizoi aktivitetin e edicionit të 11-të të konkursit të madh fetar me nxënësit e mejtepeve/kurseve fetare të xhamive të zonave administrative Postribë dhe Rrethina.
Aktiviteti që mblodhi nxënësit konkurrues të 15 xhamive: Dragoç, Boks, Kullaj, Mes-Myselim, Fshat i Ri, Drisht, Kalaja e Drishtit, Milan, Domën, Omaraj, Ura e Shtrenjtë, Bardhaj, Golem, Shtoj i Ri dhe Guci e Re dhe së bashku edhe me nxënësit e tjerë si pjesëmarrës, filloi me fjalën e drejtuesit të arsimit, teologut Arben Halluni, i cili pasi i uroi mirëseardhjen nxënësve frekuentues sistematikë në mejtepet e xhamive, u foli për rëndësinë e këtij aktiviteti, që ka për qëllim të nxisë moshat e reja drejt mësimit të Kur’anit, njohurive bazë të besimit si dhe të ofrojë dhe bashkojë nxënësit në shtëpitë e Zotit, xhamitë, si vendet më të sigurta dhe garantuese për një shoqëri besimtare, të moralshme dhe të paqtë me të gjithë.
Aktiviteti i konkursit të madh fetar u shoqërua me biseda midis nxënësve si dhe me veprimtari sportive e zbavitëse në ambientet e jashtme të xhamisë Kullaj.
Pas përfundimit të konkurrimit, u zhvillua ceremonia e shpalljes së fituesve, ku juria e përbërë nga H. Lavdrim Hamja, H. Adil Cukali dhe H. Osman Osmagden nga Turkia, në bazë të pikëve të marra nga secili nxënës konkurrues, vendosën:
– Në konkursin e Kur’anit, xhuzi Amme: Çmimi i parë u fitua nga nxënësi i xhamisë Boks, Abdullah Karmaj.
– Në konkursin e Leximit të Kur’anit dhe Ilmihal: Çmimi i parë u fitua nga nxënësi i xhamisë Bardhaj, Arsila Isufi, çmimi i dytë, nga nxënësi i xhamisë Boks, Jasmin Spahia dhe çmimi i tretë, nga nxënësi i xhamisë Dragoç, Nejla Hasaj.
– Në konkursin e këndimit më të bukur të ezanit: Çmimi i parë iu dha nxënësit të xhamisë Fshati i Ri, Ebubekër Milani.
Olimpiada e Konkursit të Madh Fetar do të organizohet edhe me zona të tjera të xhamive të Shkodrës.