Përherë më ka tërhequr studimi i gjurmëve të dritshme të hoxhallarëve tanë të kaluar, por jo vetëm… Ka shumë arsye për këtë. Mbi të gjitha, ata ishin dhe mbetën misionarë besnikë të besimit të pastër në Një Zot, përhapës, si askush tjetër, të moralit, dijes, atdhedashurisë, ruajtjes së tabanit dhe mbrojtjes së shoqërisë nga kulisat e politikave antishqiptare dhe antiislame, (që gatuheshin prej kohësh, njësoj si në të sotmen)!
Ça të bënin përballë ateizmit dhe ateistëve, tradhëtarëve të kombit, shpirtshiturve etj, përveç fjalës dhe sensibilizimit të masave? (Ça të bëjnë edhe sot, përballë fashizmit të politikës së shthurrur shqiptare, degradimit të mbështetur me media e sponsorizime ambasadash, heshtje e servilizëm anemikësh, përveç fjalës dhe se sensibilizimit?)
Përherë më ka tërhequr të nxjerr në dritë gjurmë prej gjurmëve të tyre, edhe pse realitetet e hipokrizisë së sotme shqiptare karshi Evropës dhe perëndimit, na i kanë kthyer edhe qeveritë me dy standarte, kur bëhet fjalë për fenë dhe simbolet fetare!? (Kuptohet, me Islamin dhe muslimanët: laicizëm, ekstrem madje!?) Dhe hipokrizia nuk ka të sosur! Por, duhet të përballemi me forcë me të, sepse toleranca dhe neglizhenca ka rezultuar katastrofë me kosto të lartë, sidomos ndaj edukimit të fëmijëve tanë! Emrat e figurave të shquara të komunizmit dhe ateizmit të para ’90, janë zëvendësuar sot, në tekstet shkollore me emra klerikësh dhe figurash fetare, paradoksalisht!? Joislame, të kuptohemi!
Përherë më ka tërhequr të shpalos sadopak nga drita e hoxhallarëve të shkuar, që brezat e rinj të kuptojnë se ky Islam nuk është feja e “pushtuesit”, siç propagandojnë ateistët komunistë dhe ca mashtrues e fallsifikatorë të historisë sonë kombëtare! Që fëmijët tanë të dijnë se feja e tyre, është bekim shekullor mbi këtë tokë dhe, se gjyshërit e tyre, shekuj më parë, drejtonin botën, jo si elitat xhahile të politikbërjes së sotme shqiptare, që e kanë mbajtur peng vendin, duke e hedhur në greminat më të errëta të zhvillimeve globale!?
Që fëmijëve tanë mos t’u imponohet një edukim joislam, por të rriten si muslimanë me dinjitet fetar e kombëtar, ndërtues të vlerave, jo dallkaukë, si shumë modele perëndimore e lindore pa fé, pa moral, pa dije, pa komb, pa racë, pa familje, pa nerv, qëu imponohen fëmijëve tanë nëpërmjet disa teksteve shkollore!?
Përherë më ka tërhequr të flas e të shkruaj për hoxhallarët tanë, për përkushtimin e tyre, për vlerat hyjnore që për shekuj përhapën, për harmoninë dhe tolerancën ndaj pakicave jomuslimane, (edhe kur përballeshin me mosmirënjohjen, tinzarinë, dyfytyrësinë, hilet e pabesinë), për nxitjen e atdhedashurisë dhe mbrojtjen e dinjitetit njerëzor, (besoj se rasti i strehimit të hebrenjve, është fenomen i jashtëzakonshëm i shpirtit human të Islamit dhe familjeve muslimane shkodrane, edhe pse sot, anashkalohet edhe ky detaj!?), për përhapjen e dritës, për paralajmërimin e katastrofave, (si, hytbet dhe shkrimet kundër bolshevizmit, ateizmit, komunizmit etj., dekada para shkatërrimit të Shqipërisë këtyre të zezave!) etj. pa fund!
Përherë kam nxitur dhe vazhdoj të nxis shkrimin e duhur, (jo kalimtar e amatoresk), të historisë, gjurmëve dhe vizioneve largpamëse të hoxhallarëve tanë të ndritur!
E kam bërë dhe do ta bëj, sa të mundem, i mbështetur në All-llahun e Madhëruar, me logjikën e Omer Muhtarit, dijetarit muxhahid, të cilit kur i thanë, se Italia po nis avione bombardues mbi Libi, u tha: Këto avione fluturojnë mbi Arsh, apo nën të? I thanë: Nën Arsh! Ua ktheu: “Kur Ai, që qëndron mbi Arsh është me ne, s’do na frikësojë asgjë që fluturon poshtë tij!”
Përherë më ka tërhequr studimi i gjurmëve të hoxhallarëve tanë…
Imam Muhamed B. Sytari
Myfti i Zonës Shkodër
Shkodër, më 19 tetor 2016