Me ftesë të drejtorit të konviktit të Medresesë “Haxhi Sheh Shamia”, z. Gezim Dungaj, mbrëmjen e së martës, më 18 tetor 2016, Myftiu i Shkodrës, Imam Muhamed B. Sytari, zhvilloi një bisedë fetare, me këshilla prindërore drejtuar medresistëve që banojnë në këtyë vatër edukimi.
Pas faljes së namazit të akshamit me xhemat, Myftiu mbajti një këshillë fetare, në thelbin e së cilës ishte këshilla e Hz. Lukmanit (a.s), me të cilën iu drejtua të birit.
“Këshillën e artë, me të cilën i urti Lukman iu drejtua të birit, e përjetësoi All-llahu i Madhëruar në Kur’anin Famëlartë, kur tha: “Përkujto, kur Lukmani i tha të birit: Biri im, mos i bëj shirk All-llahut, sepse shirku është një padrejtësi shumë e madhe”! Madje, e emërtoi keejt suren me emrin e të urtit Lukman!
Ky përjetësim, sikur na thotë se, në jetën tonë, përherë kemi nevojë për një këshillë të urtë, për një mbështetje, për një fjalë me vlerë. Dhe, më e vlefshmja këshillë dhe urti është ajo e ruajtjes së ekuilibrit në jetë, mosrrëshqitja në shirk, sepse shirku është vërtetë një devijim logjik dhe një padrejtësi shumë e madhe që njeriu i bën vetes. Shirku është degradimi më i rëndë i racës njerezore!
Si mundet njeriu, që e njeh All-llahun, Zotin e vetëm të galaktikave, të gjithësisë, Atë që është i përhershëm pa fillim, i përhershëm pa mbarim, që ka në dorë e Tij çdo gjë; jetën, vdekjen, rizkun, përgjigjen e lutjes, çdo gjë pa përjashtim! Si mundet njeriu t’i lutet gurit e drurit, njeriut e lopës?! Paradoks i madh!” – tha ndër të tjera Myftiu.
Ai kërkoi nga të pranishmit, që të luten për çdo gjë, mos të stepen e mos të kenë ndrojtje për të kërkuar nga Zoti i gjithësisë, me kokë në sexhde, sidomos para kohës së sabahut, “sepse lutja është shenjë e fortë e besimit dhe e dorëzimit para dashnisë së Zotit!” -, tha Myftiu.