Myftiu priti drejtorin e “Qatar Charity”

Myftiu priti drejtorin e “Qatar Charity”

Ditën e hënë, më 31 korrik 2023, Myftiu i Shkodrës, Imam Muhamed B. Sytari, priti në një takim të përzemërt, drejtorin e “Qatar Charity”, z. Mahmoud Shaker.

Në qendër të vëmendjes ishin bisedimet e fundit në prag të fillimit të punimeve për xhaminë e re të lagjes Tophanë.

Pas urimit të mirëseardhjes, Myftiu e njohu z. Shaker me historikun e Islamit në Shkodër, kontributin e elitës së hoxhallarëve në shërbim të përhapjes së Thirrjes Islame, forcimin e lidhjeve me botën islame, kontributin e jashtëzakonshëm në ruajtjen e fesë islame dhe traditave të harmonisë kombëtare, edhe jashtë Shqipërisë, sidomos në periudhën e errët të komunizmit, ku shumë hoxhallarë shkodranë u kthyen në yje ndriçues, jo vetëm për komunitetet shqiptare në ShBA, Siri, etj., por edhe për shoqëritë e atyre vendeve.

U diskutua për detajet e projektit të shumëdëshiruar për xhaminë e re të Tophanës, si pjesë e strategjisë së Myftinisë Shkodër për ndërtimin e xhamive të reja, si dhe pajisjen e tyre me shtesa të domosdoshme për zhvillimin normal të jetës fetare, aktivitetit kulturor, atij social e bamirës në këto qendra të edukimit tradicional të popullatës muslimane shqiptare.

Myftiu falënderoi kontributet e Shtetit të Katarit, gjithandej nëpër botë dhe shpresoi që bashkëpunimet e frytshme në mesin e institucioneve tona fetare dhe atyre me mbështetje të këtij vendi të jenë përherë në rritje.