U zhvillua ceremonia simbolike për xhaminë e re të Tophanës
Ditën e martë, më 26 shtator 2023, që korrespondon me Ditën e madhe të përkujtimit të Lindjes së Begatë të Hz. Muhammedit (a.s), të Dërguarit mëshirë për gjithësinë, u zhvillua ceremonia simbolike e nisjes së punimeve për projektin e xhamisë së re të lagjes Tophanë.
I pranishëm ishte Myftiu i Shkodrës, Imam Muhamed B. Sytari, Drejtori i Programeve të Zhvillimit Ndërkombëtar pranë “Qatar Charity” në Doha të Katarit, Abdulaziz Jassim Hejji, Nënkryetari i Bashkisë Shkodër, Onid Bejleri, Drejtori i “Qatar Charity” për Shqipërinë, Mahmud Shakir, imamë, miq e dashamirë të Myftinisë Shkodër.
Në fjalën e rastit, Myftiu falënderoi bashkëpunimin me “Qatar Charity” për realizimin e këtij projekti të shumëpritur për bashkësinë muslimane të Shkodrës, Bashkinë Shkodër për mirëkuptimin dhe lehtësimin e procedurave të lejeve përkatëse dhe komunitetin për nxitjen e vazhdueshme dhe dëshirën e madhe për xhaminë e re.
Me tekbire, Myftiu i Shkodrës, miku i nderuar i ardhur nga Katari, nënkryetari i Bashkisë dhe drejtori i “Qatar Charity” për Shqipërinë, i dhanë fillim punimeve për realizimin e këtij projekti me vlerë për Myftininë Shkodër dhe krejt Shkodrën.