Myftiu: “I Dërguari i Fundit, shembull i përkryer në të gjitha çështjet e jetës
(Myftiu i Shkodrës i ftuar në emisionin Tonight në Star Plus TV përcjell mesazhe të rëndësishme rreth Ditëlindjes së Begatë të Pejgamberit Muhammed (a.s)
Imam Muhamed Sytari, Myftiu i Shkodrës ishte i ftuar në emisionin Tonight, në Star Plus TV, ku në fokus të bashkëbisedimet me gazetarin Simon Shkreli ka qenë Ditëlindja e Begatë e të Dërguarit të Allahut, Muhammedit (a.s).
Në diskutimet e tij, ndër të tjera, Myftiu theksoi shembullin e përkryer të të Dërguarit të Fundit në të gjitha çështjet e kësaj jete si dhe në marrëdhëniet ndër njerëzore…
“…Unë mund të rri gjithë ditën dhe gjithë natën, sa të kem jetë, duke folur e duke ligjëruar për Pejgamberin tim (a.s), duke e dashur dhe duke u shkrirë për dashurinë ndaj tij, por e di se ka një cak. E di se ky është njeri dhe nuk është zot. Është racë njerëzore, njeri ashtu si ne; është dërguar për të na mësuar se si ta jetojmë jetën ashtu siç do Zoti. E shoh Pejgamberin (a.s) duke mbajtur një fjalim si burrë shteti, por e shoh edhe duke e ndihmuar gruan e tij në shtëpi. E shoh Pejgamberin (a.s) duke i shkruar letra më të mëdhenjve të botës, perandorëve të Persisë, Egjiptit, të romakëve dhe e shoh njëkohësisht duke u mërzitur nga një veprim i të shoqes. E shoh Pejgamberin (a.s) duke drejtuar njerëzit nga Zoti, duke u lodhur e sakrifikuar, por e shoh njëkohësisht aty duke u falur, në adhurimin më të shenjtë të Islamit dhe duke mbajtur mbesën e tij të vogël në krahë.
Në një shoqëri ku njerëzit ishin të zhytur në fanatizëm dhe në një arrogancë primitive, vjen i Dërguari i Zotit edhe ju thotë njerëzve që: “I thërrasim njerëzit në fe, por në finale ju keni fenë tuaj dhe unë kam fenë time!”
Ku është parë të respektohet kështu mendimi i tjetrit? “Ju keni tuajën dhe unë kam timen” Meseleja mbyllet. Respektimi i lirive deri në atë pikë saqë ne e kemi thënë dhe e gjejmë të shkruar, se i Dërguari i Zotit priste në xhaminë e tij delegacione jomuslimane, madje shtronte edhe pelerinën e tij për tu ulur priftërinjtë e krishterë. Ku është parë kjo më përpara? Ai erdhi për t’i treguar njerëzve që besimi dhe udhëzimi është në dorën e Zotit. Robi ka për detyrë vetëm të thotë atë që është kompetent për të dhe i aftë për ta shprehur…”
Në lidhje me çfarë rëndësie ka për gjithë besimtarët muslimanë ditëlindja e Profetit, Myftiu i Shkodrës u përgjigj:
“…Rëndësia e këtij muaji dhe kësaj ngjarjeje lidhet me personin e ngjarjes, që është i Dërguari i Allahut Hz. Muhammedi (a.s). Ne, kudo që jemi në mbarë botën Islam,e me fillimin e këtij muaji që është muaji i pranverës së parë në gjuhën arabe Rabiul-Evvel, patjetër që gëzohemi dhe përpiqemi që lajmin e gëzueshëm ta përhapim gjithandej nëpër botë. Nuk është për faktin e një date të caktuar. Jo ngaqë është 12 Rabiul-Evvel, sepse po të shohim me hollësi dhe të shikojmë librat e historisë dhe biografisë së Pejgamberit (a.s) mund të gjejmë se nuk është krejt e saktë data 12, por është 9 ose diku tjetër 18. Kjo është krejt e parëndësishme. E rëndësishme është të ndalemi tek simbolika e kësaj date dhe këtij muaji, e këtij gëzimi dhe përjetimi të madh që është personaliteti i të Dërguarit të Allahut. Kur ne themi se kemi Mevludin Sherif, mevlud në gjuhën arabe është i linduri, fëmija i sapolindur, nuk ndalemi në detaje që nuk na interesojnë, por merremi me thelbin e dërgesës së këtij njeriu të madh!”
Myftiu foli edhe për disa tema të tjera, pikërisht për mesazhet e Pejgamberit (a.s) rreth paqes, harmonisë, shenjtërisë së jetës, aktualiteteve në vendin tonë, në rajon dhe gjetkë.
Emisionin e plotë mund ta ndiqni këtu: